Përjashtimi i Kamzës, ja si ndryshon Superiorja!

6 Mars 2019
15:48

Kamza është përjashtuar nga Kategoria Superiore dhe nga kupa pas ngjarjeve të tmerrshme të funajvës së shkuar, ku drejtuesit e klubit kamzali sulmuan në mënyrë barbare arbitrin Eldorian Hamiti pas përfundimit të ndeshjes Kamza-Laçi.

Tashmë Kamza mund të apelojë në FSHF, ku me shumë gjasa nuk do të marrë asnjë skonto, ndërsa apeli në UEFA e CAS është një histori shumë e gjatë, që do të hajë shumë kohë, ndaj Kamza nuk ka shpresa.

Tashmë bëhen llogaritë dhe është e qartë që në Superiore ndryshojnë shumë gjëra, sepse sipas rregullores, rezultatet e deritanishme mbeten në fuqi, ndërsa tani e tutje çdo ndeshje jepet 3-0 në tavolinë, në favor të ekipit kundërshtar të Kamzës.

Në këtë aspekt, Flamurtari, Luftëtari dhe Skënderbeu janë me fat (korçarët kalojnë edhe në gjysmëfinalet e Kupës pa luajtur fare), sepse u mbeteshin dy ndeshje ndaj Kamzës në kampionat dhe do t'i fitojnë në tavolinë, pa luajtur fare.

Ndërkaq, më të penalizuarit janë Teuta e Laçi, që lanë pikë në fazën e tretë në përballjet kundër Kamzës. Një lajm i hidhur edhe për Kastriotin, sepse në këtë mënyrë Luftëtari rival merr 6 pikë pa luajtur fare, duke hedhur një hap gjigant përpara.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit