Përjashtimi i Ozil, menaxheri ia plas të vërtetat në sy Arteta-s

23 Tetor 2020
13:35
Alfred Lleshi
back button

Agjenti i Mesut Ozil ka kritikuar Arsenalin për trajtimin e klientit të tij. Erkut Sogut bën thirrje për një “shpjegim të ndershëm” nga klubi londinez, se pse fituesi i Kupës së Botës mne Gjermaninë është dëbuar nga skuadra. Mikel Arteta e la jashtë listës prej 25 lojtarëve për “Europa League” dhe Premier League mesfushorin me origjinë turke. Ozil ka kontratë deri në verën e vitit 2021, por shumë kanë sugjeruar se ai nuk do të shihet më duke luajtur në “Emirates Stadium”.

Sogut nuk po përjashton asgjë në këtë fazë, me një kthesë të papritur ende të mundshme, por pranon që një mesfushor 32-vjeçar nuk mund të trajtohet kështu. Për ESPN, agjenti nënvizoi: “Tifozët e Arsenalit meritojnë një shpjegim të sinqertë, jo fjalët e Arteta duke thënë: Unë dështova me Ozil. Ju nuk e dështuat me Ozil, por nuk arritët të ishit të drejtë, të ndershëm dhe transparent. Nuk e trajtuat dikë me respekt, që është nën kontratë dhe ka treguar besnikëri gjatë gjithë kohës.

Çdo person i jashtëm e di se nuk e kanë trajtuar në mënyrë të drejtë. Arteta nuk i dha atij një shans për të treguar veten këtë sezon. Nëse është ende nën kontratë, lojtari duhet të ketë mundësinë të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij. Mesut nuk i është dhënë kjo mundësi. Pse do ta mbanit një lojtar në stol, dy herë për 90 minuta (kundër Brighton dhe Crystal Palace, në qershor), nëse ai nuk ishte i aftë ose i angazhuar?

Të gjithë thonë se ai po stërvitet mirë. Per Mertesacker e tha këtë publikisht. Unë fola me të paktën pesë shokë të ekipit, të cilët thonë se Mesut po stërvitet shkëlqyeshëm. Ata thonë se Ozil është një nga lojtarët e tyre më të mirë, nuk mund ta kuptojnë pse është lënë jashtë skuadrës. Pra, nuk lë gjë mangut në stërvitje, nëse nuk e aktivizon në fushë. Atëherë, cilat janë arsyet futbollistike të përjashtyimit? Nëse flisni, duhet të thoni të vërtetën që tifozët e Arsenalit meritojnë, përndryshe mos folni fare.

Arteta nuk luajti fare në dy vitet e fundit tek Arsenali, por klubi përsëri e regjistroi, sepse ishte nën kontratë. Ish-trajneri Arsene Wenger e hodhi në fushë dy minutat e fundit të ndeshjes së tij të fundit, vetëm për t’i dhënë një moment të bukur, edhe pse nuk ishte i aftë për muaj. Shikoni se si Arteta u trajtua në dy vitet e fundit dhe si po trajtohet Mesut në vitin e tij të fundit të kontratës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit