Perlat Musta, legjenda e portës shqiptare feston sot 61-vjetorin

15 Tetor 2020
12:35
Alfred Lleshi
back button

Sot është një ditë e veçantë për futbollin shqiptar në tërësi dhe Partizanin në veçanti. Perlat Musta feston 61-vjetorin e lindjes. Legjenda e portës vijon të mbetet një pikë referimi për këtë rol në futbollin tonë, falë asaj që dha gjatë tërë karrierës mbresëlënëse mes shtyllave, qoftë me “demat e kuq”, qoftë me kombëtaren kuqezi.

Biografia
Futbolli shqiptar ndër vite ka pasur një traditë të shkëlqyer përsa i takon repartit më difensiv dhe padyshim që një nga emrat më të spikatur në portë ka qenë Perlat Musta, ose siç njihet nga të gjithë, “gardiani” i portës kuqezi. Musta, i cili ka shërbyer për ngjyrat e Partizanit dhe përfaqësueses shqiptare për më shumë se dy dekada, përbën një nga faqet e lavdishme të historisë së futbollit tonë kombëtar. Janë me mijëra tifozët e Partizanit që ende mbajnë mend pritjet e shkëlqyera të tij në qindra takime në kampionat. Ai tashmë është larguar prej vitesh nga fushat e blerta, por të gjithë e kujtojnë me respekt “vlonjatin” e Partizanit, që në atë kohë krahasohej për nga reflekset dhe hedhjet e rrufeshme me Dasajevin e madh. Perlat Musta ka lindur në Vlorë në vitin 1958, në një familje që nuk shquhej për “lidhje të ngushta” me sportin, por gjithsesi kjo nuk e ka penguar atë që të “pushtohej” nga pasioni i madh për futbollin që në moshë fare të vogël.

Legjenda e portës shqiptare ka bërë paraqitje të paharrueshme me kombëtaren shqiptare, ndër të cilat në mendjet e tifozëve të asaj periudhe janë skalitur ndeshjet e mrekullueshme ndaj Gjermanisë, Polonisë dhe Belgjikës. Ai do të mbahet mend si “portieri i përjetshëm” i Partizanit, që nuk e tradhëtoi asnjëherë klubin e kuq edhe në momentet më të vështira. Perlat Musta vazhdon të qëndrojë pranë futbollit, ndonëse jo me pak vështirësi, pasi përveç shpërblimit moral, ai nuk është se ka marrë ndonjë gjë tjetër në kthim. Gjithsesi, siç shprehet edhe vetë ai, kjo nuk është një çështje thjesht individuale, por i takon një brezi të tërë futbollistësh që sakrifikuan shumë dhe bënë që emri i Shqipërisë të dëgjohej në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që përveç kënaqësisë shpirtërore, nuk provuan asnjë “luks” tjetër gjatë dhe pas karrierës së tyre.

Në kujtimet e tij, legjenda e Partizanit ka folur për fillimet e karrierës, kulmet që arriti me fanellën e kuqe, eksperiencat me kombëtaren, ndërkohë që nuk ka nguruar të vërë në dukje edhe defektet e futbollit të sotëm shqiptar. Ja si tregon Musta për fillimet e karrierës së tij në futboll:
“Unë kam lindur në Vlorë në vitin 1958 dhe që në fëmijëri kam shfaqur prirje për t’u marrë me sport, veçanërisht me futbollin. Në moshën 10 vjeç mendoja vetëm për futbollin, por ndryshe nga shokët e mi që preferonin të luanin në sulm, mua më pëlqente porta. Pasi mbarova shkollën në qytetin e lindjes u regjistrova në shkollën e Mjeshtërisë Sportive, por nuk arrita të kapja normat, kështu që nuk u pranova. Më pas, prindërit që për hir të së vërtetës nuk kishin dëshirë që unë të merresha me sport, pasi kështu ishte psikologjia e asaj kohe, më sugjeruan të shkoja në shkollën “Skënderbej”. Megjithatë, për fatin tim të mirë aty gjeta një terren shumë favorizues për të ndjekur pasionin tim, pasi siç dihet në ato vite shkolla “Skënderbej’ ishte një fidanishte që furnizonte me futbollistë ekipin e Partizanit. Pra lidhja ime me klubin e Partizanit duket se u shenjua që në atë vit. Siç e thashë edhe më lart, në shkollën “Skënderbej” i kushtohej mjaft rëndësi sportit dhe futbollit në veçanti, kështu që unë pata të gjitha kushtet për t’u stërvitur dhe këtu dua të përmend trajnerin Sherif Çiçiku, për të cilin ruaj një respekt të veçantë. Lidhjet e ngushta që kishte shkolla me klubin e Partizanit, sigurisht që favorizonin elementët që spikasnin, pasi shpesh aty vinin edhe drejtues të ekipit, për të parë nga afër ata që kishin prirje. Kështu që aty unë rashë në sy dhe në vitin 1976, kur isha 17 vjeç u aktivizova me të rinjtë e Partizanit për 1 fazë futbollistike. Më pas kalova tek ekipi i parë në vitin 1979. Atë vit Partizani doli edhe kampion, pas një periudhe të gjatë mungese të trofeut në shtëpinë e kuqe. Që në atë kohë, (me një shkëputje të vogël gjatë kohës kur debutova në Rumani me Dinamon e Bukureshtit) e deri në vitin 1997, unë kam luajtur vetëm për ngjyrat e ekipit të Partizanit.”

Musta: Derbin dhe kampionatin i fiton Partizani, ka ardhur koha –  SportEkspres.com

Përveçse bëri histori me Partizanin, Perlat Musta do të mbahet mend sigurisht për lojërat e tij me kombëtaren shqiptare, ku ka qenë ndër portierët më të mirë që ka mbrojtur portën tonë:
“Unë kam qenë portier i përfaqësueses Shpresa, me të cilën kemi arritur një sukses të madh, siç ishte triumfi në Ballkaniadë. Ne ishim një grup shumë i mirë, që më pas u bashkuam edhe në përfaqësuesen e të rriturve. Unë kam veshur fanellën e kombëtares më 2 shtator 1981, në një ndeshje ndaj Finlandës, ku bëra një paraqitje të mirë. Më pas kam qenë pjestar i kombëtares për shumë vite. Me fanellën kuqezi kam zhvilluar 23 ndeshje ndërkombëtare, të cilat mund të them se janë shumë, duke pasur parasysh që atëherë ne shpesh nuk merrnim pjesë në kompeticione të ndryshme për arsye politike. Përfaqësuesja më ka dhuruar shumë emocione, sidomos në ato ndeshje të famshme ndaj Gjermanisë, Polonisë me të cilën barazuam 2-2 dhe sigurisht që mbetet e paharruar ndeshja ndaj Belgjikës së Shifos së madh, ku ne fituam 2-0. Gjithsesi, ka pasur edhe momente të vështira, siç ishte rasti i dënimit tim me mosaktivizim në kompeticionet ndërkombëtare për një periudhë 5-vjeçare. Por ajo që që më zhgënjeu edhe më shumë, ishte heshtja e federatës këtu në Shqipëri, e cila e çoi edhe më tej këtë dënim të padrejtë, duke më lënë 1 vit jashtë fushave të futbollit. Asnjëherë nuk e kuptova atë dënim absurd, por koha ishte e tillë që nuk mund ta gjeje të drejtën”.

Mbresat nga ekipi i Partizanit
“Periudha që unë kam luajtur për Partizanin më ka lënë mbresa të pashlyeshme. Dua të them se nuk mund të ndaj ndonjë sezon në veçanti, por meqënëse duhet të bëj një zgjedhje, po them atëherë kur kemi dalë triumfues në kampionat. Me Partizanin kam fituar 4 kampionate dhe 3 Kupa Republike, ç`ka do të thotë se kam marrë me të vërtetë shumë sadisfaksion. Publiku na ka mbështetur vazhdimisht dhe ende kujtoj me nostalgji shkallët e stadiumeve plot, ku nuk shikoje një vend bosh. Rivaliteti mes skuadrave në ato vite ka qenë realisht shumë i madh dhe niveli i futbollit, bënte që njerzit të na ndiqnin ngado, ndonëse kushtet ekonomike ishin shumë të disfavorshme. Megjithatë, edhe sot shpesh herë më ndodh që kur kaloj rrugës, më takojnë njerëz që më shprehin konsideratat e tyre dhe kjo është maksimumi që mund të marrë një sportist”.

Karriera në Rumani
“Shqipëria sapo kishte dalë nga sistemi komunist dhe si çdo shqiptar, edhe unë kisha dëshirë të provoja ndonjë eksperiencë jashtë shtetit. Vendosa të largohesha për në Rumani tek skuadra e Dinamos së Bukureshtit, pasi oferta e tyre m’u duk e mirë për kohën. Sigurisht që ajo ishte një eksperiencë e bukur, pasi Dinamo ishte një skuadër profesioniste dhe për më tepër aty ndodhej edhe Sulejman Demollari. Gjithsesi, mosha kur unë shkova në Rumani, nuk ishte ajo ideale dhe kështu që pata disa vështirësi. Megjithatë, duke e menduar atë në retrospektivë, e përgjithshmja sigurisht që është pozitive, por aspekti financiar duhet të them se nuk ishte i kënaqshëm. Me Dinamon e Bukureshtit fituam edhe një kampionat, ndërkohë që morëm pjesë edhe në kupat e Europës. Pas dy sezonesh aty, në vitin 1994 vendosa të kthehen në Shqipëri, sërish tek Partizani. Kur unë erdha përsëri tek Partizani, përveçse u aktivizova në skuadër, isha edhe trajner i portierëve të ekipit. Gjendja ishte e vështirë, pasi problemet e kohës ishin të shumta dhe njerëzit nuk mendonin shumë për futbollin. Megjithatë, ne punuam seriozisht dhe nga ajo periudhë ruaj kujtime të bukura. Një prej tyre është fakti që pikërisht në atë kohë unë zbulova Arjan Beqajn, që me karakteristikat e tij më bindi se do të bëhej një portier i mirë”.

Më urdhëruan të tregohesha bujar me kinezët
“Po kujtoj një moment që më ka bërë shumë përshtypje. Ka qenë një episod mjaft interesant, kur pata rastin të mbroj portën e ekipit të të rinjve të Partizanit, në një ndeshje me një ekip kinez, në kuadër të “miqësisë” mes dy vendeve që ekzistonte në atë kohë. Në pjesën e parë ne kryesonim me rezultatin e thellë 5-0. Në pushim të ndeshjes, erdhën direktivat që të tregoheshim më “bujarë” me miqtë dhe “nderi” më takonte mua, meqënëse unë do të isha portier në pjesën e dytë. Si përfundim, kinezët mundën të shënonin 2 gola, ndërkohë që pas disa kohësh, miqtë më thanë se ata gola të pësuar u panë nga “specialistët” si një dobësi e imja. Dua të them se e tillë ishte koha dhe nuk mund të kishe kurrë siguri të plotë në vetvete, nëse kishe bërë veprimin e duhur apo jo”.

Largimi përfundimtar nga futbolli
“Unë kisha kohë që e mendoja një gjë të tillë, jo se nuk isha në formë por vitet po kalonin dhe një ditë kjo do të ndodhte. Në 1997 unë isha pothuajse 39 vjeç dhe e dija që nuk do të kisha edhe shumë kohë në dispozicion për të luajtur, por dua të them se një nga shtysat kryesore që u largova nga porta e Partizanit ishte Arjan Beqaj. Në një ndeshje në sezonin 1996-1997 u dëmtova dhe qëndrova mbi dy muaj larg fushave. Pasi fillova të rikuperohesha nga dëmtimi në këmbë, nuk kisha më dëshirë që të rifilloja stërvitjen me ekipin, kështu që u tërhoqa. Por dua ta theksoj faktin se duke qenë trajner i portierëve të Partizanit, pata shansin të stërvis Beqajn dhe më dukej sportist i talentuar, kështu që qëndrimi im nuk do ta ndihmonte për t`u afirmuar. Mendova se ishte momenti i duhur për t`u tërhequr, për t`i lënë vendin një tjetër portieri që premtonte shumë. Nuk bëra ndonjë ceremoni largimi nga fusha e blertë, por thjesht u tërhoqa duke lënë që brezi i ri të merrte të gjithë hapsirat që i takonin. Kur vendosa të lë futbollin, nuk mendova shkëputjen totale me të. Kështu që qëndrova në stafin teknik të ekipit, ku mbaja rolin e zv-trajnerit dhe trajner ishte Sulejman Starova. Në vitin 1998, kur ai u zgjodh Sekretar në FSHF, unë mora postin e teknikut të ekipit. Kjo ndodhi aty nga mesi i fazës së parë”.

Musta, i vetmi sportist në familje
“Përveç meje, në familjen time askush nuk është inkuadruar në këtë fushë. Sigurisht që familja më ka mbështetur kur unë isha aktiv në futboll dhe duhet të pranoj se kanë bërë shumë sakrifica, pasi futbolli është një profesion që të mban disi larg familjes. Megjithatë, gruaja ime ka qenë shumë larg sportit pasi me profesion është ekonomiste, ndërkohë që edhe dy vajzat, Aulona dhe Kledia nuk kanë shfaqur prirje për sportin. Mendoj se mjafton një sportist në familje”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit