PËRMBYSJE HEROIKE! Roma nderon Italinë në Europë, mposht Ajaxin 1-2 (VIDEO)

8 Prill 2021
23:00
Telesport
back button

Nëse ka një ekip që po mban gjallë flamurin italian në Europë këtë sezon është padyshim Roma. Verdhekuqtë kanë marrë një rezultat fantastik mbrëmjen e sotme ndaj Ajaxit në Holandë, teksa kanë fituar 1-2 me përmbysje në çerekfinalen e parë.

Ndeshja nisi e dominuar nga Ajaxi në fakt, me holandezët që shënuan edhe golin e avantazhin në minutën e 39’ pas një gafe të Ibanez. Klassen ishte autor i golit dhe pjesa e parë u mbyll 1-0.

Në pjesën e dytë, Ajaxi e nisi përsëri mirë dhe pati një shans të artë nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 53’, por Tadic gaboi, duke u ndalur nga portieri Pau Lopez. Ky ishte edhe momenti kyç i takimit, pasi Roma pas vetëm 4 minutash gjeti golin e barazimit me Lorenzo Pellegrinin.

Pas barazimit, Ajax e shtoi presionin, por nuk arriti të konkretizonte rastet e krijuara. Atëherë kur të gjithë prisnin që ndeshja të mbyllej, Roma shënoi me Ibanez, duke kompletuar një përmbysje heroike 1-2.

Ndërkohë, në Zagreb, surpriza Dinamo u mposht nga Villareali i ekspertit Unai Emery, që konfirmohet mbret i Europa League. Spanjollët triumfuan 0-1 me gol të Morenos, duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në fazën gjysmëfinale.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit