Përqeshën italianët në transmetim direkt, Dortmund dënon komentatorët e vet ksenofobë

7 Gusht 2019
11:41
Alfred Lleshi
back button

Gjatë ndeshjes miqësore, të luajtur mes Borussia Dortmund dhe Udinese më 27 korrik (4-1), komentatorët Patrick Owomoyela dhe Norbert Dickel bënë komente të tmerrshme ksenofobe kundër lojtarëve të ekipit italian. Për pasojë, Dortmundi i ka ndëshkuar të dy. E gjitha filloi në minutën e tretë të lojës, kur dy ish-lojtarët e BVB, tani komentues sportiv në kanalin zyrtar të skuadrës gjermane, u tallën me emrat e disa futbollistëve rivalë. Kështu, Kevin Lasagna u krahasua me ushqimin e njohur “lasagna”, ndërsa Ignacio Prussetto e shndërrua në “prosecco”, një verë e bardhë italiane. 

Ata vazhduan në mënyrë të turpshme duke i thirrur lojtarët e Udinese me termin “itaker”. Ky emërtim është pezhorativ që nga vitet 60-të në Gjermani, kundër italianëve. Në fund, të dy komentatorët e mbyllën me një parodi të Hitlerit, në transmetim direkt. BVB e hoqi videon nga faqja e saj zyrtare dhe në kanalin YouTube. Dortmund, përmes një deklarate zyrtare, e dënoi kategorikisht faktin që lojtarët e Udineze u sulmuan verbalisht në “BVB.tv”, me përcaktime pezhorative dhe denigruese. 

Dickel dhe Owomoyela u pezulluan nga komentimi, për shkak të sjelljes së tyre qesharake. Të dy ish-lojtarët e Borussia Dortmund kërkuan falje dhe e pranuan gabimin e tyre publikisht. Ata pranuan se “shakatë” e tyre nuk ishin me vend dhe premtuan se veprime e komente të tilla nuk do të përsëriten përsëri. Ironia në këtë rast është se vetë Owomoyela ishte viktimë e racizmit para Kupës së Botës 2006, në Gjermani.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit