Piketohen katër prurje të reja, kjo Barcelonë do të frikësonte këdo në planet

16 Maj 2019
13:50
Alfred Lleshi
back button

Barcelona duket se do të bëjë një mini-revolucion gjatë kësaj vere. Eliminimi i turpshëm nga Liga e Kampionëve përballë Liverpool, në gjysmëfinale, i ka nxitur drejtuesit të ndryshojnë diçka. Flitet për disa largime lojtarësh, që shkojnë deri në dhjetë si numër, por edhe prurje të reja cilësore. Emri më i fundit që lakohet është Antoine Griezmann.

Sulmuesi francez, 28 vjeç, ka njoftuar se do të largohet nga Atletico Madrid këtë verë. Barça duket favorite absolute për të nënshkruar me të. “L”Equipe” shkruajti para dy ditësh, në titullin e madh të saj, se “Messi pret Griezmann”. Kampionët e La Liga-s kanë nënshkruar tashmë me Frenkie De Jong, për një shifër prej 75 milionë eurosh që në janar. 

Për më tepër, katalanasit janë duke u lidhur fort edhe me mesfushorin e Manchester United, Paul Pogba, si dhe Matthijs De Ligt. Referuar këtyre pritshmërive në merkato, tabloidi i njohur britanik, “The Sun”, ia ka hedhur vështrim formacionit, me të cilin mund të luajë Barcelona në sezonin 2019-2020. Në portë, Marc-Andre Ter Stegen nuk ka gjasa të lëvizë, pas një sezoni mbresëlënës.

Para tij, nga krahët e mbrojtjes, Sergi Roberto dhe Jordi Alba, që janë ndër më të mirët në botë në rolet tyre. Në qendër të prapavijës blaugrana, Gerard Pique ka nevojë dëshpëruuese për një partner të ri dhe të besueshëm. Samuel Umtiti dhe Clement Lenglet nuk janë në përputhje me pritshmëritë.

De Ligt mund të mbërrijë në “Camp Nou” dhe të luajë në qendër të mbrojtjes, përkrah Pique. Në këtë rol, ai është tashmë forcë dominuese në Europë, edhe pse vetëm 19 vjeç. Në mesfushë, De Jong do të jetë pjesë e formacionit startues të sezonit 2019-2020, me Sergio Busquets i pazëvendësueshëm në rolin e tij prej shkatërruesi (në detyrat difensive). 

Krahas yllit të Ajax, De Jong, francezi Paul Pogba mund të jetë “pesha e rëndë” e re e këtij reparti. Kampioni i botës mund t'i japë fund kthimit “toksik” 3-vjeçar në “Old Trafford: dhe të bashkohet me Leo Messin, në funksion të fitimit të gjithçkaje. Arturo Vidal do të jetë më shumë se i dobishëm, por nga stoli, ndërsa Ivan Rakitic pritet të largohet këtë verë, me Interin duke trokitur në derën e katalanasve për të.

Përpara, në sulm, nuk ka asnjë diskutim: Lionel Messi, Luis Suarez dhe Griezmann, nëse ky i fundit mbërrin te kampionët spanjollë. Ardhja e francezit ka një efekt domino, në fakt, sepse prek drejtpërdrejt blerje të shtenjta të Barcelonës, si Ousmane Dembele dhe Philippe Coutinho. I pari konsiderohet alternativë luksi, ndërsa braziliani pritet të largohet kësaj vere. 

Duke iu bashkuar Messit dhe Suarez, Griezmann pritet të krijojë ndoshta “tridentin” më të mirë sulmues në planet. Sidoqoftë, vetëm koha do të tregojë nëse gjigantët e “Camp Nou” do t’i sigurojnë përforcimet e evidentuara për këtë formacion të frikshëm dhe, nëse po, a do t’i përmbushin të gjitha objektivat e tyre sezonin e ardhshëm… 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit