Pioli: Askush nuk na ka dhuruar gjë, nesër duhen të gjithë dhe gjithçka

21 Maj 2022
15:55
Alfred Lleshi
back button

Në Reggio Emilia Milani shpreson se do ta fitojë titullin kampion të Serie A. Aty e pret Sassuolo si pengesë e fundit. Edhe barazimi është i mirë për djemtë e Stefano Piolit, i cili në konferencën për shtyp përdori tone të ulëta dhe u mundua të mos e ngrejë shumë tensionin në skuadër. Megjithatë, fati është në duart e “Djallit”, që dëshiron ta përfundojë me sukses punën e gjatë sezonale.

Stefano Pioli përsërit atë që ka thënë herën e fundit: “Sigurisht kemi qenë më të mirët deri më tani, duhet të jemi edhe nesër më të mirët. Java ishte e përqendrimit, qetësisë dhe vëmendjes. Nuk është ajo që kemi bërë deri tani, por ajo që do të bëjmë. Do të kemi një shans të madh, të cilin e meritojmë.

Nesër do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë, askush nuk na ka dhënë asgjë. Kështu do të jetë edhe me Sassuolo. Ne e kemi interpretuar çdo ndeshje të vetme me konceptet tona të lojës, por më pas çdo sfidë ka historinë e vet.

Sassuolo, për shembull, driblon shumë mirë, ka më shumë cilësi në çerekun e përparmë të fushës. Do të duhet të krijojmë mundësi më të favorshme për llojin tonë të lojës. Nesër do të nevojitet gjithçka dhe të gjithë. Së bashku me tifozët, sigurisht që do të jemi më të fortë”.

Disa fjalë edhe për Ibrën: “Ai kujdeset shumë, si të gjithë ne. Çdo lojtar mund të mendojë se do të jetë vendimtar. Ibra solli mentalitet dhe cilësi superiore për të gjithë. Ai bëri që një ekip i ri të rritet, duke u bërë pikë referimi.

Skuadra ka besuar gjithmonë në lojën dhe cilësinë e vet, edhe në momente të vështira. Gjithmonë ka pasur sinergji me fushën teknike, me Maldinin dhe Massarën flas çdo ditë. Kemi pasur mbështetjen e klubit”.

Mungesat treguan se sa është rritur ky Milan: “Më është dashur të heq dorë nga dy senator si Ibrahimovic dhe Kjaer në dhomat e zhveshjes për muaj të tërë. Kjo tregon sa janë rritur të tjerët për t’i kompensuar ata?”.

Një falënderim edhe për pronarët e klubit: “Na kanë besuar gjithmonë, nuk na ka munguar asnjëherë asgjë, edhe gjatë izolimit”. Mbyllja e konferencës së Piolit është prekëse: “Nuk jam ndjerë kurrë kaq i dashuruar sa këtu te Milani në jetën time futbollistike”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit