Pioli: Europa është habitati i Milanit, Ibra i rikuperuar plotësisht

16 Shtator 2020
15:22
Alfred Lleshi
back button

Është radha e Milanit për ndeshjen e parë zyrtare të sezonit të ri. Nesër në Irlandë e pret një sfidë testuese me Shamrock në raundin e dytë paraprak të Ligës së Europës. Stefano Pioli flet për këtë me qetësinë e tij të zakonshme: “Europa është habitati natyror i kësaj skuadre. Ne jemi të gatshëm dhe të vetëdijshëm për vështirësitë”.

Shamrock është më i dobët, por liga irlandeze tashmë ndodhet në javën e 11-të dhe Rovers po kryeson, me 9 fitore e 2 barazime. Kështu që Pioli apelon për kujdes: “Shamrock po bën mirë, është një ekip intensive. Do të duhet ta menaxhojmë mirë ndeshjen dhe të qëndrojmë të përqendruar për 95 minuta”.

IBRA, TONALI DHE GIGIO – Trajneri kuqezi pastaj foli për emra të përveçëm: “Ibra është riaftësuar plotësisht. E shoh mendërisht mjaft mirë, të vendosur, konkurrues dhe të disponueshëm në maksimum, si gjithmonë. Tonali është i ri, por i pjekur dhe i gatshëm për Milanin. Ai sapo ka ardhur, por tashmë i ka treguar karakteristikat në Serie A. Sandro është i lumtur që ndodhet këtu. Unë përgëzoj edhe Donnarumma për disponueshmërinë e tij. Colombo? Ai do të duhet të jetë gati. Si zëvendës të Ibrahimovic, gjithashtu kam Rebic”. Kujtojmë se kroati nuk do të jetë gati për nesër, për shkak skualifikimi, ndërsa Leao vijon karantinën prej koronavirusit.

EMOCIONE – Më tej, disa fjalë për gjendjen e ekipit: “Ekziston emocioni i fillimit të sezonit të ri, i përpjekjes për të përbmushur një rrugë të ndërtuar sezonin e kaluar. Ne duam të arrijmë në grupet e Ligës së Europës, por tani përqendrohemi vetëm te ndeshja e nesërme. Tri javë përgatitje nuk janë shumë, por bëmë gjithçka që duhej të bënim për të shkuar sa më mirë në këtë përballje europiane”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit