Pioli sqaron zemërimin e Ibrës gjatë zëvendësimit: Gjithmonë kërkon maksimumin

13 Korrik 2020
8:50
Alfred Lleshi
back button

Milani vazhdoi serinë e rezultateve pozitive radhazi, me një barazim në fushën e Napolit. Stefano Pioli, i intervistuar nga “Sky Sport”, nënvizoi vështirësitë e kësaj transferte: “Sonte ishte e vështirë prej cilësisë së kundërshtarit dhe sepse kishim shpenzuar shumë më përpara, sidomos kundër Juventusit. Në javët e fundit jemi përballur me skuadrat më të mira në kampionat”.

Pastaj, trajneri kuqezi u ndal te zemërimi i Ibrahimovic në kohën e zëvendësimit: “Ibra? Ai u zemërua, sepse po humbnim. Ai gjithmonë kërkon maksimumin. Një lojtar që del jashtë nuk duhet të jetë kurrë i lumtur”. Pioli më pas shpjegon se ai gjithmonë ka besuar te ky Milan, tani në gjendje të mposhtë edhe kundërshtarët e rangut më të lartë:

“Unë kam qenë gjithmonë i bindur për cilësitë e ekipit, por çdo gjë kërkon kohën e vet. Tani kemi një skuadër të vërtetë, jemi të vetëdijshëm dhe po e rrisim nivelin. Është shumë e vështirë, në fund të lojës kam pasur lojtarë të mërzitur. Sigurisht, do të bëj disa ndryshime në formacion, të mërkurën”.

Lidhur me paraqitjen e të tijve, Pioli nënvizoi: “Duhet kohë për të krijuar një mentalitet të fortë dhe një stil të caktuar loje. Pika jonë e dobët ishin ndeshjet direkt, por tani po paraqitemi shumë mirë. Gjithsesi, është shumë e vështirë të luash çdo tre ditë, lojtarët janë të drobitur. Duam të kalojmë Romën dhe Napolin në renditje. Bennacer-Kessie? Po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme së bashku”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit