Plaku pret golat, por ka një shqetësim para Luftëtarit

8 Dhjetor 2018
14:48
back button

Fitorja mungon prej shtatorit te Kamza dhe prej fundit të tetorit golat e shënuar kanë qenë shumë të paktë. Natyrisht, në qendër të vëmendjes ka qenë sulmuesi kryesor Sebino Plaku, lideri i repartit të avancuar, i cili është ndalur te kuota e dy golave të shënuar: "Është tema e zakonshme për çdo sulmues, pjesa e shënimit. Në çdo intervistë kjo është pyetje e zakonshme, kur shënon apo kur nuk shënon. Është pjesë normale e jetës sonë. Nuk do doja të kisha ndjesinë e mungesës së golit, më tepër është përgjegjësi për situatën ku jemi, sepse na mungojnë pikët. Na duhen gola për të fituar pikë, kemi hasur në vështirësi për shkak se kemi pësuar shpesh gola dhe nuk kemi rikuperuar dot. Uroj të kemi më shumë stabilitet, siç kemi treguar pas ndryshimit të fundit në stol. Kjo do na ndihmojë edhe ne sulmuesve për të qenë më të saktë në finalizim. Duhet logjikë në mënyrën e të kërkuarit të fitores, kjo është pjesa ku kemi vuajtur më tepër, sepse shpesh kemi gabuar pas pësimit të golit".

Plaku flet edhe për Luftëtarin, rival direkt për mbijetesë: "Jam parashikues i mirë, jam munduar ta shoh çdo ndeshje drejt dhe ta vlerësoj maksimalisht, pa parë renditjen apo organikën e skuadrës që kemi përballë. Kjo është mënyra e vetme në një kampionat si i yni, ku diferencat po ulen çdo vit. Kampionati është rritur goxha, duket nga statistikat apo nga paraqitjet tona në kupat e Europës. Luftëtari është ekip që ka gjetur stabilitet në Superiore, duke pasur ecuri shumë të mirë. Duhet kujdes, sepse shtëpia jonë duhet të jetë e zjarrtë dhe çdo ekip rival duhet të vuajë".

Merkatoja po afron, por Plaku nuk sheh aq larg, kur pyetet a i duhet një partner i mirë përpara: "Nuk e kam menduar fare pjesën e përforcimeve në janar, nëse më duhet ndonjë partner tjetër apo jo. Deri në janar duhet të përqendrohemi te ndeshjet e mbetura dhe mendoj se e kemi sulmin dhe mund të jetë më rezultativ. Për sa i përket partnerit, kemi tentuar disa zgjidhje e sisteme loje, të gjithë deri diku janë munduar të përshtaten. Të gjithë e kanë  bërë detyrën, por nuk kemi shënuar dhe kjo po na mundon. Nëse do shënonim më shumë, gjithë sulmuesit tanë do shiheshin ndryshe, edhe në treg".

Fusha është një shqetësim serioz për Plakun dhe Kamzën: "Ndoqëm në stadium sfidën Kukësi-Skënderbeu me kërkesë të trajnerit dhe pamë që fusha ishte rënduar shumë. Na vjen keq, sepse çdo ekip që luan për fitore e vuan shumë terrenin e keq apo të rënduar nga shirat. Fusha është goxha e ngarkuar, por uroj që të mos na pengojë në arritjen e fitores kundër Luftëtarit".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit