Plas lufta Flamurtari-Danilo Alves, Idrizi e çon në FIFA!

7 Janar 2019
13:21
back button

Danilo Alves nuk kthehet nga Brazili, Flamurtari e çon në FIFA. Ky është thelbi i daljes publike të Sinan Idrizit sot, me administratorin kuqezi që ka folur për mediat, duke lajmëruar se sulmuesi brazilian tashmë do të paditet në FIFA.

"Jemi të detyruar t'i dërgojmë letër FIFA-s për vonesën e lojtarit. Danilo Alves duhej të ishte në Vlorë. Nuk do të tolerojmë vonesa”, u shpreh administratori Idrizi, i cili ka pranuar se ka vonesa në pagat e futbollistëve, por kjo nuk i justifikon ata që të vijojnë pushimet.

Mund të kemi çdo lloj problemi, por jo për pagat. Kush ka pretendime të tilla t’i drejtohet me një letër klubit. Për Alvesh për çdo ditë vonesë do të marrë gjobat e përcaktuara. Te Flamurtari nuk ka asnjë lojtar që i është drejtuar klubit për pagat. Me përgjegjësi të plotë. Ka vonesa një apo dy muaj, por ka edhe pagesa 30% parapagim”.

“Gjithçka lidhet edhe me privatizimin. Nëse klubi do të ishte privat, të jeni të sigurt se këto vonesa nuk do të ishin. Nga ana ligjore dua vetëm një letër që i është drejtuar një lojtar klubit për pagat e prapambetura. Nuk ka asnjë gjë të tillë”.

Alves e ka bërë edhe në të shkuarën një veprim të tillë, duke mos u kthyer në Shqipëri pa u paguar, ndërkohë që në një intervistë lëshuar para disa javësh për Yahoo Brazil tregonte aventurat e tij vlonjate dhe shpjegonte se klubi e paguante sapo ai e bënte të qartë se nuk kthehej më.

Duket se kjo histori nuk ka fund dhe ka rinisur cirku, me Flamurtarin që nga një anë firmos kontrata gjigante dhe pretendon Europën, ndërsa nga ana tjetër nuk paguan lojtarët në kohë dhe në mars apo prill merr si zakonisht lajmin e hidhur se luan kot, sepse nuk regjistrohet dot për kompeticionet europiane për shkak të borxheve dhe gjyqeve me futbollistë të ndryshëm. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit