Plas në Gjirokastër, Luftëtari mund të tërhiqet nga Superiorja!

29 Shtator 2019
9:31
Eraldo Harlicaj
back button

Luftëtari flirtoi me fitoren ndaj Laçit, pasi deri në momentet e fundit po fitonte me rezultatin 1-0 ndaj kurbinasve. Një penallti në minutat e fundit u kthye në gol nga miqtë duke mbyllur sfidën me rezultatin 1-1. Gjirokastritët janë indinjuar shumë me gjyqtarin kryesor të takimit, Olsid Ferataj dhe kërcënojnë se nuk do të zbresin në fushë nëse ai do t’i drejtojë sërish.

REAGIMI –  “Klubi i Luftëtarit, pas përfundimit të ndeshjes me Laçin, i kërkon Sektorit të Garave pranë gjyqtarëve shikimin e rastit të 11-metërshit të akorduar për ekipin e Laçit në minutën e 94-t. Nisur nga mënyra e akordimit të 11-metërshit nga kryesori Olsid Ferataj, jemi të shtrënguar për të shkuar deri në ekstrem, atë të tërheqjes nga gara.

Nuk është thjesht një deklaratë ankuese emocionale, por është një fakt i hidhur që na imponon të kërkojmë nga ana juaj përgjegjshmëri, korrektesë dhe profesionalizëm në sektorin e garave. Për klubin e Luftëtarit, ky gjyqtar është ‘non grata’. Asnjëherë nuk do të pranojmë të luajmë në çdo fushë ku ky gjyqtar të jetë i pranishëm.

Me këtë ankesë, në radhë të parë kërkojmë t’iu ndihmojmë ju dhe nëpërmjet jush garantimin e një gare të ndershme dhe pa probleme teknike. Kërkojmë që në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive dhe Rregulloreve përkatëse të FSHF-së, të merren masa ligjore për këtë gjyqtar”, – shkruajnë drejtuesit bluzinj. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit