Plas skandali në Formula 1, makina e Hamilton me timon që lëviz

20 Shkurt 2020
13:45
Telesport
back button

Është vetëm dita e dytë e testeve në pistën spanjolle të Montmelo, por në Formula 1 ka plasur skandali i parë. Gjatë testeve të sotme vëmendja është përqendruar te një lëvizje anormale e timonit të makinës së Lewis Hamilton. Kjo lëvizje para e mbrapa e timonit të makinës Mercedes u vu re nga pamjet televizive, sidomos nga kamera që është vendosur sipër kokës së pilotit.

Kur njëvendëshja e pilotit britanik hyn në pjesën e drejtë timoni spostohet pas, ndërsa kur nisin kthesat ai spostohet para, kthehet në gjendjen fillestare. Jo vetëm kaq, por edhe rrotat e përparme kanë një spostim të lehtë të konvergjencës në pjesën e brendshme kur ndodhin këto manovra të timonit.

Sipas specialistëve kjo është e ndaluar, pasi kjo lëvizje e dyshimtë e timonit dhe rrotave i jep një avantazh pilotit dhe makinës, në përdorimin e aseteve të njëvendëshes dhe konsumit më të vogël të gomave. Rregullorja thotë se çdo ndryshim i sistemit të pilotimit duhet të ndodhë vetëm kur makina është e ndaluar dhe jo kur garon në pistë.

Mediat e ndryshme botërore bëjnë me dije se FIA ka nisur një hetim në lidhje me këtë çështje, duke parë sigurinë e këtij sistemi dhe nëse është brenda rregullores ky modifikim që i bëhet makinës në ecje e sipër. Nuk dihet ende nëse ky modifikim ka shkelur rregullat e garës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit