Po bën mrekullira me Kosovën, konfirmohet e ardhmja e Challandes

18 Tetor 2019
15:22
Alfred Lleshi
back button

Flitet për votëbesim të trajnerit Edy Reja në krye të kuqezinjve, sepse i “rilindi” ata në pjesën e dytë të kësaj fushate eliminatoresh, ndaj nuk mund të ndodhë ndryshe me Bernard Challandes te Kosova. Duke iu referuar veprës së kryer, zvicerani mund të konsiderohet një “hero” i vërtetë për “Dardanët”. Arritjet në Ligën e Kombeve, përmes të cilës vazhdon ëndrra e shkuarjes në “Euro 2020”; shanset e hapura për këtë objektiv edhe në grupin përkatës të këtyre eliminatoreve, lidhen direkt me këtë emër. Për pasojë, kreu i FFK, Agim Ademi, nuk ka lënë asnjë dilemë mbi të ardhmen e Challandes. 

Duke folur për gazetën “Zëri” në Kosovë, ai ka konfirmuar pa afat zviceranin: “Challandes do të jetë me ne deri në pension. Dihet se trajnerët vlerësohen nga rezultate, por Challandesi po punon jo vetëm me kombëtaren A. Ai është shumë i angazhuar edhe me punë tjera. Ne e kemi një sistem bazik se si t’i ngremë talentet tona të reja. E kemi parë që futbollistët e moshave të njëjta nuk kanë zhvillim të njëjtë në Kosovë dhe jashtë. Pra, për ata që jetojnë këtu, ka ngecje në krahasim me moshatarët e tyre që jetojnë në Zvicër e Gjermani. 

Me Challandes po punojmë që të fusim të njëjtin mentalitet, që të jetë i barabartë zhvillimi i talentit këtu me atë të Europës. Ne jemi duke e kërkuar fajtorin pse nuk po zhvillohet talenti këtu si duhet, a është faktori infrastrukturë, puna profesionale, apo çështja ekonomike. Këtë jemi duke e hulumtuar me ekspertë dhe bashkë me Challandes po shohim si ta gjejmë zgjidhjen më të mirë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit