Nga Antalia në baltën e Fushë-Krujës, Partizani prek çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë

22 Janar 2019
14:36
Alfred Lleshi
back button

Kastrioti-Partizani 2-4
 Golat: Vatnikaj 13’, Shehu 71’ / Hebaj 31’, 75’, Mensah 42’, Trashi 70’

KASTRIOTI: Puja, Husein (Caca 65’), Shehi, Çela, Ndreca, Neziri, Shehi, Ymeraj (Rami 35’), Bardhi, Marku, Vatnikaj (Marku 60’). Trajner: Bledar Devolli

PARTIZANI: Hoxha (Xhika 44’), Belica, Ibraihimi, Atanda (Trashi 53’), Rexhepi, Kalari, Kote, Hila, Çinari, Mensah (Bardhi 63’), Hebaj. Trajner: Skënder Gega.

Gjyqtarë: Olsid Ferataj, Enea Pashaj, Nuri Rrapaj

Ndeshje e nisur me vonesë, çka irritoi trajnerin Skënder Gega. Partizani vinte nga kushtet ideale në Antalia të Turqisë, ku zhvilloi përgatitoren e dimrit, në baltën e stadiumit të Fushë-Krujës, ndaj e nisi pa shumë titullarë, por me debutuesin Rexhepi në qendër të mbrojtjes. Në këtë terren tepër të rënduar, skemat taktike kanë dalë “jashtë loje”deri diku, sepse topi nuk mund të qarkullohej tokazi, por ishin të detyrueshme pasimet e gjata ajrore. 

Mbizotëronin dyluftimet fizike, por nuk mungonte dëshira për më të mirën, edhe nga krutanët, pavarësisht se objektiv madhor kanë mbijetesën në Superiore, asgjë më shumë. Të parët kanë kaluar në avantazh të besuarit e Bledar Devollit, me anë të Jurgen Vatnikajt, në minutën e 13-të. 

Reagimi i “demave” është i mënjëhershëm, edhe pse goli i barazimit nuk do të vinte pa kaluar gjysmë ore lojë. Pikërisht në të 31-tën, shkodrani Hebaj godet tokazi, duke mposhtur portierin Puja. Këtij të fundit i ikën topi nëpër duar, në terrenin e rënduar, ndaj është fajtor për barazimin. 

Në minutën e 40-të, Mensah driblon edhe portierin krutan, godet për në rrjetë, por topi mbetet në “llucë”. Aty e largon një mbrojtës i Kastriotit, por topi krosohet nga këndorja dhe në dritë del goli i dytë. Autor është vetë Mensah. I çuditshëm ndërrimi i minutës së 44-t (kur pritej të mbyllej pjesa e parë), teksa Hoxha ia lë vendin Xhikës, ndërsa shiriti i kapitenit kalon në krahun e Belicës.

Pjesa e dytë bëhet edhe më e vështirë. Fusha është përbaltur e tëra, madje vende-vende mbulohej nga pellgjet e mëdha të ujit. Në një situatë të tillë, parësore për lojtarët ishte mospësimi i ndonjë dëmtimi. Trajnerët nuk vonojnë të bëjmë zëvendësimet e lejuara, me qëllim që t’ë mos i konsumojnë fizikisht në një terren të tillë disa nga “xhevahirët” e tyre. 

Të tjerëve që erdhën nga stoli, si Trashi e Bardhi për Partizanin, iu dha mundësia e mbajtjes në tonus, në mungesë të seancës stërvitore ditën e sotme, edhe pse nuk ishte e lakmueshme për askënd fusha e “Redi Maloku”.  

Dy gola në dy minuta i shtohen kronikës së kësaj sfide, me autorë Shehu dhe Trashi (70’ dhe 71’), por pa ndryshuar rrjedhën e përfundimit. Hebaj kompleton dopietën personale (75’), duke i dhënë përmasa të tjera fitores së të tijve. Partizani dhe hedh një hap të madh drejt turit tjetër, atij çerekfinal, edhe pse mbetet të luhet formalisht ndeshja e kthimit në kryeqytet, pas dy javësh.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit