“Po ndikon faktori psikologjik, ja pse ka oshilacione”, Starova komenton renditjen e çuditshme!

22 Tetor 2019
10:15
back button

Pas aventurës së mbyllur me klubin e Laçit, Sulejman Starova, i ftuar në studion e emisionit “Pressing” në ABC News, ku do të bëjë analizat e përjavshme, ka folur në lidhje me kampionatin duke u ndalur te fakti se “faktori psikologjik është ai që ka ndikuar dhe presioni i madh”.

“Bobi” ka folur në lidhje me Teutën, por edhe Tiranën, Partizanin e Kukësin. 

Teksa ka përgëzuar djemtë e detit dhe punën e presidencës, mes investimeve dhe qetësisë për të pasur të gjitha kushtet e duhura që të stërvitet pa trysni, u ndal te Partizani: “Lerda ka ardhur dhe e ka gjetur skuadrën. Çfarë ka gjetur, ka plot lojtarë, ka me shumicë lojtarë të mirë. Trajneri donte kohën e tij, është në rrugën e duhur, skuadra mori tri pikët, fituesi nuk gjykohet. Probleme ende ka, por Lerda është në punë e sipër”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

“Te Partizani, është ndërruar trajneri, erdhi nga Italia. Po bën një skuadër tjetër dhe po punon me mentalitetin e vet. Ka pasur problemet e veta, si ato me Asanin dhe Trashin, por fituesi nuk gjykohet. Partizanin e bënë sikur një skuadër që nuk ka harmoni, zihen në stërvitje, por shkon e fiton në Shkodër. Prandaj Partizani është në rrugë të drejtë, qëllimi është i përbashkët të ecin përpara. Asani ka qenë, është dhe do të jetë një lojtar kryesor i Partizanit”.

Por, pse nuk kanë një bosh skuadrat, por shpesh zëvendësime të shumta? “Harrojeni punën e boshtit. Ka 20 vite që ka humbur boshti i skuadrës. Kush është më në formë, luan me skuadrën. Është kampionat i ekuilibruar dhe në këto kushte, varet se kush ka brumë të mirë, ecën përpara në kohë të shkurtër. Tirana dhe Partizani e kanë këtë gjë, pasi kanë shumë cilësi në grup”.

Sa i përket Kukësit, “Bobi” ka mendimin se skuadra verilindore është ende kandidate për titull, edhe pse ka më pak pikë nga sa duhet të kishte. “Kukësi vazhdon të jetë skuadër pretendente për të fituar kampionatin. Ka pasur ca probleme të vetat, ka pasur herë pas here dëmtime, siç ishte rasti i fundit me Limaj. Nuk ka luksin që ka Partizani apo Tirana, në kontingjent lojtarësh. Kukësi duhet të bëjë shumë më tepër, pasi nuk ka fushën apo publikun që ka Tirana apo Partizani. Do të jetë deri në fund të sezonit skuadër pretendente për të marrë kampionatin”.

Në fund, teksa dribloi argumentin e largimeve te Kukësi dhe afrimeve, duke u ndalur te fakti se nuk ka një “peshore farmaceutike” për të bërë balancat, shtoi se “çdo skuadër ka oshilacionet e veta. Tirana ka pasur luhatje, Partizani po”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit