Mykhailo Mudryk e kaloi Chelsea në epërsi me goditjen e tij të parë në derbi, gol që u pasua shumë shpejt nga një tjetër, i Armando Brojës, që gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen e tij të parë pas pothuajse një viti (kur ka qenë i dëmtuar dhe në periudhë rikuperimi). Blutë fituan falë intensitetit në lojë dhe ndërveprimit të shkëlqyeshëm, çka rezultoi fatal për Fulham në ato faza të hershme.
“Ne morëm atë që meritonim, – tha Pochettino pas fitores. – Pjesën e parë ishim shumë më mirë se Fulham. Në pjesën e dytë e kishim lojën nën kontroll. Jam shumë i lumtur sepse lojtarët kishin nevojë për këtë fitore, po ashtu edhe tifozët. Tani kemi dy fitore në më pak se një javë. Ne kishim nevojë ta ndjenim shijen e fitores dhe një tjetër portë të pastër (pa pësuar gol).
Tani kemi fituar dy ndeshje, duhet të ruajmë qetësinë dhe të vazhdojmë të ndërtojmë besimin e nevojshëm. Kemi pasur shumë rrethana negative me kaq shumë lojtarë që nuk përshtaten, por gjëja më e rëndësishme është besimi. Skuadra beson në atë që po bëjmë”.
Disa fjalë edhe për shënuesit e dy golave ndaj Fulham: “Mischa shënoi golin e parë në Premier League, edhe Armando, pas një periudhe të gjatë jashtë fushave, shënoi sërish. Jam shumë i lumtur për ta, e meritojnë.
Ne duhet të kuptojmë se të rinjtë kanë nevojë për kohë dhe duhet të përshtaten. Është një ndryshim i madh për Mudryk, që mbërriti këtu. Pastaj nuk është e lehtë të ingranohesh në një ekip që nuk është solid.
“Nevojitet kohë, të kesh durim, t’iu besosh këtyre lojtarëve të rinj të talentuar, të ndërtosh vetëbesim. Është një punë e madhe, hap pas hapi. Ndonjëherë njerëzit nuk kanë durim, por për ne ka të bëjë projekti. Edhe kur nuk fitonim, ishim të qetë, qëndruam pozitivë, kishim besim”.
I pyetur nga gazetarët pse vendosi ta aktivizonte Brojën nga fillimi, Pochettino u përgjigj: ““Raheem Sterling nuk është stërvitur gjatë tri ditëve të fundit. Ai mori një virus dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të ishte në formacion, prandaj aktivizuam Brojën nga minuta e parë. Nisëm të mendonim për Brojën një ditë para ndeshjes.
Nuk e dinim nëse do të ishte në gjendje të luante 90 minuta, por mendoj se është e rëndësishme që ai të luante nga fillimi. Pas një periudhe të gjatë jashtë fushave, është e rëndësishme për të që shënoi. Kështu që jam i lumtur dhe shpresoj se mund të rikuperohet për fundjavën”.