Pogba bën deklaratën më befasuese për Manchester United

14 Dhjetor 2019
9:47
Alfred Lleshi
back button

Paul Pogba thotë se lojtarët e rinj të Manchester United duhet të shfrytëzojnë sa më shumë shanset e tyre në ekipin e parë, pasi luajnë për “ndoshta klubin më të madh në histori”. Ndeshja e së dielës në Premier League, kundër Everton, në “Old Trafford”, do të jetë e 4000-ta në radhë, në të cilën “Djajtë e Kuq” përfshijnë të paktën një të ri të akademisë së klubit në skuadrën e parë. 

Ky “vrapim”, që ka nisur prej vitit 1937, është mbajtur gjallë nga angazhimi i trajnerit Ole Gunnar Solskjaer për promovimin e të rinjve. Paul Pogba, i cili iu bashkua Manchester United si një 16-vjeçar, tani po inkurajon të rinjtë në dispozicion të Solskjaer që t’i shfrytëzojnë mundësitë e tyre për të bërë përshtypje pozitive:

“Unë u kam thënë shumë prej lojtarëve të rinj, që kanë qenë me ekipin e parë: Djema, ju nuk e dini sa fat keni. Fatkeqësisht për ne, kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar dhe për këtë arsye është një shans i madh që lojtarët e rinj të përfshihen me ekipin e parë. Ata kanë shansin të bëjnë mirë dhe të qëndrojnë aty. Kështu, unë iu them atyre: Shijojeni këtë fat dhe shfrytëzojeni këtë mundësi, sepse është e rëndësishme, derisa lojtarët e tjerë të kthehen nga dëmtimet. 

Asnjëherë nuk e dini, mund të jetë një lojtar titullar i dëmtuar dhe një i ri të hyjë në formacion e të luajë një ndeshje të shkëlqyeshme. Në këtë mënyrë qëndron me ekipin e parë deri në fund të karrierës. Kështu që, unë u kam thënë atyre: Djema, jini të gatshëm dhe gjithmonë shfrytëzoni rastin! Nëse ata kanë cilësi për të qenë me ekipin e parë, atëherë pse të mos e shfrytëzojnë mundësinë që të luajnë dhe ta shijojnë vetveten?

Mason (Greenwood), që nga seanca e parë e stërvitjes, në të cilën e pashë, Brandie (Brandon Williams), Jimmy (James Garner), Angel (Gomes), Chongy (Tahith Chong) dhe të gjithë lojtarët e rinj duhet ta kenë për nder që janë pjesë e këtij klubi. Ata kanë luajtur dhe kanë disa minuta me ekipin e parë, duhet ta shijojnë kur janë në fushë dhe të punojnë shumë. Mason është duke shënuar gola, Brandie ka luajtur prej gjashtë muajsh tashmë. Kjo është ajo që dëshiron klubi dhe trajneri”.

Pogba, i cili ende është duke u lidhur me një largim nga “Old Trafford”, vazhdoi: “Unë mendoj dhe shpresoj se mund t’i ndihmoj ata të rinj. Ky është një nga klubet më të mëdha në botë dhe mbase klubi më i madh në histori. Ata kanë fatin që të jenë në këtë klub. Kështu që iu them atyre: Shfrytëzoni mundësinë tuaj, luani, jeni të rinj, keni cilësi, nuk ju mungon asgjë për t’u frikësuar.

Shpresoj se mund t’u jap shembullin e mirë kur jam në fushë dhe jashtë fushës. Edhe pse nuk e shoh veten si të moshuar, shpresoj që lojtarët e rinj, një ditë, do të vijnë dhe të marrin pozicionin tim (kur të mbaroj së luajturi). Kështu është, nuk do të luaj përgjithmonë.

Kur fillova stërvitjen me ekipin e parë, unë isha 17 vjeç dhe mbaj mend që Vida (Nemanja Vidic) ishte atje, edhe Park Ji-sung. Unë dylyftova me Vida dhe pashë se sa i fortë ishte. Unë e dija se më duhej të punoja shumë për t’u futur në ekipin e parë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit