Pogba nxin Mourinhon: Veproi kundër lojtarëve te Manchester United

16 Prill 2021
10:47
Alfred Lleshi
back button

Paul Pogba ka kritikuar metodat e punës së ish-trajnerit të Manchester United, Jose Mourinho. Francezi thotë se “shefi” aktual, Ole Gunnar Solskjaer, nuk del kundër lojtarëve, siç bëri trajneri portugez. Fituesi i Kupës së Botës më 2018 u kthye në “Old Trafford” për një eksperiencë të dytë. Vetë Mourinho investoi një shumë rekord (89 milionë £) për ta kthyer atë në Angli nga Juventusi.

Bashkëpunimi fillestar ishte i frytshëm, pasi tre trofe u fituan në 2016-2017, por më pas raporti midis lojtarit dhe trajnerit u prish. Pogba foli për “Sky Sports” mbi ndryshimet midis dy trajnerëve të tij të fundit në klub: “Ajo që kam tani me Ole është e ndryshme, sepse nuk del kundër lojtarëve. Pra, ai nuk i mënjanon lojtarët sikur të mos ekzistojnë. Ky është ndryshimi midis Mourinho dhe Ole. Fillimisht kisha një marrëdhënie të shkëlqyer me Mourinho, të gjithë e panë këtë. Mirëpo, pastaj nuk e di se çfarë ndodhi. Kjo është gjëja e çuditshme që pata me Mourinho dhe nuk mund t’jua shpjegoj sepse as unë nuk e di”.

Pogba beson se qasja e Solskjaer, e cila qëndron në kontrast të plotë me atë të paraardhësit të tij, po shpërblehet, sepse frymëzon besim tek ata që ka në dispozicion: “Ndoshta metodat e Solskjaer funksionojnë ngaqë është pak më afër lojtarëve. Çdo trajner ka mënyrën e tij për të trajnuar dhe për t’u marrë me lojtarët, ndaj duhet të përshtatesh.

Jam i sigurt që Murinjo thoshte diçka që të bënte njerëzit të flitnin për të. Kur ne e fitonim ndeshjen, dukej sikur ai kishte humbur. Pra, nuk fliste për ndeshjen e fituar, por për babain e dikujt. Të gjithë e dinë që kjo është një sjellje tipike e Mourinhos. E kërkon vetë të gjithë vëmendjen”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit