Policia arreston kampionin shkodran të boksit, pjesë e një grupi kriminal

9 Mars 2019
13:40
Alfred Lleshi
back button

Ishte shpallur në kërkim prej disa kohësh, kërkohej nga policia, por ka rënë në prangat e uniformave blu vetëm ditën e sotme. Fjala është për kampionin absolut të boksit, me ngjyrat e Vllaznisë, Nelson Hysa. Arrestimi i tij nga Policia e Tiranës ka ardhur pas akuzave të organeve të drejtësisë se ka qenë pjesë e grupit kriminal “Bajri”, që operonte në zonën e Shkodrës, por jo vetëm. 

Hysa është kapur në një banesë të marrë me qera në zonën e Komunës së Parisit, në kryeqytet, mëngjesin e sotëm. Ja njoftimi i policisë vendore:
“Në vijim të operacionit “OAZ”, në funksion të procedimit penal, nisur gjatë vitit 2018, në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si pjesë e grupit kriminal “Bajri” me aktivitet të shtuar kriminal në Shkodër, mëngjesin e sotëm u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin:

N. H., 35 vjeç , lindur dhe banues në Shkodër, që ishte person i shpallur në kërkim në shtator 2018, gjatë operacionit “OAZ”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “organizata kriminale, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim”, për qëllime të fitimit pasuror.

Njësia Hetimore Qendrore për të lokalizuar vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ka bashkëpunuar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Shkodër. Gjatë veprimeve proceduriale u sekuestrua nje automjet “BMW Seria 3”. Materialet proceduriale shtesë iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit