Pollozhani: Na akuzojnë padrejtësisht, gjyqtarët për rekorde

2 Mars 2019
12:42
Eraldo Harlicaj
back button

Flamurtari do të rikthehet në fushë në ndeshjen ndaj Kastriotit. Ekipi vlonjat pas humbjes me shumë polemika në kryeqytet ndaj Partizanit synon që të rikthehet te rezultatet pozitive ndaj krutanëve, ekip ky që ka shumë nevojë për pikë. Para kësaj sfide për mediat ka folur Artim Pollozhani. Ky i fundit, në rolin e kapitenit, flet në lidhje me situatat që po kalon ekipi bregdetar, por dhe problematikat e tjera. 

Veterani vlerësoi në maksimum ekipin e Kastriotit që e cilëson si një kundërshtar mjaft të rrezikshëm. "Duke pasur parasysh pikët e marra, ata kanë bërë mirë. Ata ishin të shthurur në dy fazat e para. Mbase është meritë e trajnerit dhe e afrimeve të reja që kanë bërë. Kanë marrë 10 pikë së fundmi dhe duhet respekt maksimal, pasi ata janë në formë".

Kapiteni sqaroi dhe situatën brenda grupit dhe mungesat e mundshme. "Deliaj është kthyer me grupin. Kale ka pasur një problem shëndetësor, besoj se luan. Sot do kthehet në stërvitje dhe besoj se nesër luan. Sigurisht duke e parë gjendjen e tij, po unë besoj dhe shpresoj që Kale do jetë në ndeshje”.

Pollozhani shpreson se ekipi vlonjat të mund të ngjisë shkallët e klasifikimit, nëse kombinohen dhe rezultatet e kundërshtarëve. “Skënderbeu luan me Teutën dhe kemi një mundësi për t’u ngjitur na klasifikim. Shpresoj të jetë një ndeshje si këto që kemi bërë në janar dhe të marrim pikët maksimale. Kastrioti është në situatë të mirë, por duke i parë ndeshjet, pa futur pikët, edhe ne jemi në një moment të mirë. Do jetë ndeshje e bukur. Shpresojmë dhe shkojmë për tre pikët”.

Problemet financiare kanë ndikuar shumë në ekipin vlonjat, megjithatë mesfushori mundohet t'i anashkalojë. "Është e disata herë që ju them se nuk na takon ne futbollistëve të flasim për situatën financiare. U takon drejtuesve. Jemi këtu të flasim për ndeshjen e radhës. Çdo javë pyetemi për këtë gjë".

36-vjeçari flet dhe në lidhje me largimet e lojtarëve titullarë. "Po t’i shikoni ndeshjet e fundit, Flamurtari të jep përshtypjen se luan mirë edhe pa ato largime. E thashë, ishin lojtarë cilësorë që ne na prishin punë. Nëse e marrim që ne tani jemi mirë dhe si do ishim me lojtarët e larguar, mund të ishim edhe pretendentë për titull. Nuk do flisnim për të tilla gjëra, por do shikonim a do fitojë Partizani me Tiranën, që t’i afroheshim, apo a do na afroheshin. Nuk mund të paragjykosh, ‘ej do ishim këtu’. Mund të ishim edhe më keq me ata që ikën. Mua më gëzon fakti, që ekipi pavarësisht largimeve, luan futboll”.

Një koment për gjyqtarët nuk mund të mungonte duke parë dhe "masakrën e radhës" që ndodhi ndaj Partizanit. “Ne kemi vështirësi nga arbitrat. Kam një vit e gjysmë këtu dhe nuk kam parë kurrë në jetën time kaq gabime njerëzore nga arbitrat. Nuk dua t’i hyj asaj pjesë, por ndikon te psikologjia e futbollistëve, ndikon te rezultati i ndeshjes, si dhe te objektivat e klubit. Në fund fajtorë dalin futbollistët dhe ky është pengu im. Të gjitha harrohen. Analistët thonë që jemi dëmtuar, por pastaj jemi ne fajtorët në fund. Këtë nuk e pranoj dot”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit