Ai fitoi Kampionatin Evropian 2016, pikërisht atë kur Shqipëria bëri debutimin historik në një kompeticion të tillë, me në krye trajnerin De Biasi. Ai do të jetë kundërshtari i parë i kuqezinjve tanë në fushatën eliminatore të “Euro 2024”.
Pra, ai ka hyrë në historinë e Portugalisë. Sigurisht, Fernando Santos nuk u largua në mënyrën më të mirë të mundshme nga stoli i luzitanëve, sepse e la para kohe Botërorin 2022, i eliminuar në çerekfinale nga Maroku dhe i përfshirë në përplasjet me CR7 për uljen në stol të kapitenit. Santos, gjithashtu fitoi me kombëtaren portugeze një Ligë të Kombeve.
Tashmë, sipas “Sky”, Santos do të jetë trajneri i ri i Polonisë. Sërish një kombëtare që priste shumë në “Katar 2022”, duke pasur parasysh praninë e dikujt si Lewandowski. Në vend të kësaj, skuadra polake nuk e kaloi 1/8 finale dhe u kthye shpejt në shtëpi (pas nokautit kundër Francës finaliste).


Polonia kishte “vënë bast” gjithçka për Czesław Michniewicz në fillim të vitit 2022, duke arritur të marrë kualifikimin për në Botërorin e Katarit përmes ‘play-off’-it të kualifikueseve evropiane, duke mposhtur Suedinë. Megjithatë, në fazën finale u shfaqën pavendosmëritë e mëdha të mbrojtjes dhe mesfushës jo në nivel, duke rrezikuar të eliminohen që në fazën e grupeve.
Fernando Santos ka për detyrë të synojë Kampionatin Evropian të vitit 2024 në Gjermani, e ndoshta edhe Kupën e Botës 2026. Në mes tyre janë edicionet e Ligës së Kombeve, që mund të kontribuojnë në të dyja kompeticionet.
Sikurse thamë më lart, ai do ta bëjë “sefte” zyrtarisht në stolin e luzitanëve më 27 mars, në shtëpi, kundër kombëtares shqiptare, e cila po ashtu do të ketë trajner debutues në atë përballje inauguruese të grupit E, brazilianin Sylvinho.