Poloni-Shqipëri / Sylvinho e ndan mendjen për formacionin, do të kemi një debutues në fushë

27 Mars 2023
8:44
Alfred Lleshi
back button

Fushatë e re kualifikuese, kësaj here për “Euro 2024”. Trajner i ri në krye të kombëtares kuqezi, për pasojë edhe qasje e re taktike. Mirë do të ishte që si çdo fillim i ri të ishte pozitiv, sepse kot nuk konsiderohet gjysma e punës…

Të gjitha këto vlejnë për Sylvinho dhe stafin e tij, që sonte do të “nusërojnë” për herë në krye të kombëtares shqiptare. Do ta bëjnë në Varshavë, ndaj një kundërshtari të fortë si Polonia, në radhët e së cilës luan një qendërsulmues me famë globale si Robert Lewandowski.

Një kundërshtar ndaj të cilit ndër vite kemi vetëm një fitore. Pra, prognoza në letër nuk na favorizon aspak. Megjithatë, referuar grupit të lojtarëve që kemi në dispozicion mund të shpresojmë. Mungesat janë mjaft të rëndësishme, gjithsesi, sidomos ato të dy mbrojtësve titullarë Gjimshiti dhe Ismajli.

Sylvinho duket se e ka ndarë mendjen për formacionin startues. Ai ka pasur një javë në dispozicion për t’u përgatitur, por nuk ka pasur fatin të luante të paktën një miqësore para sfidës zyrtare inauguruese të “Euro 2024”. Ky përbën një problem të madh, që ngarkon me përgjegjësi FSHF-në, që dy miqësoret e fundit nuk ia vuri në dispozicion brazilianit, por i la në duart e Edy Rejës, i vendosur për t’u larguar.

Sa i përket formacionit me të cilin kuqezinjtë pritet ta nisin sonte ndaj Polonisë në “PGE Narodowy”, porta do t’i besohet Strakoshës. As as dhe as Berisha nuk kanë luajtur në klubet e tyre, ndaj duket se i është besuar më shumë freskisë fizike se sa pjekurisë në këtë rast.

Prapavija me katër, sepse qasja fillestare taktike e kuqezinjve do të jetë 4-3-3, pritet të përbëhet nag Hysaj në të majtë, Balliu në të djathtë, ndërsa dyshja e qendrës me Mihaj dhe Kumbulla. Në qendër të mesfushës ka vend për Ramadanin, ndërsa nga krahët Asllani dhe Laçi, nga e majta në të djathtë.

Reparti i përparmë duket i “blinduar”, po të kemi parasysh potencialin e qendërsulmuesit Cikalleshi dhe dy parterëve të tij nga krahët, Uzuni dhe Asani. Ky i fundit do ta ketë debutim me kuqezinjtë sonte, ashtu si vetë trajneri Sylvinho, ndaj të papriturat mund të jenë të konsiderueshme në këtë përballje që do të thotë shumë për vazhdimësinë e kësaj fushate kualifikuesesh, ku synimi është shkuarja në finalet e “Euro 2024”.

Kujtojmë se Polonia luajti javën e kaluar ndaj Çeklisë, në fushën e kësaj të fundit, dhe humbi 3-1. Pra, sonte ka nevojë jetike për fitore. Shqipëria deri tani ka luajtur një herë në finalet e Kampionatit Evropian, shtatë vite më parë në “Francë 2016”.

Kuqezinjtë ishin rivalët e kombëtares polake edhe në kualifikueset për Botërorin e Katarit. Në renditjen e grupit zunë vendin e tretë, pas anglezëve dhe kombëtares së drejtuar nga Paulo Sousa asokohe, e cila la rrugës vetëm dy pikë.

Sipas polakëve, sonte kanë një shans për të zgjatur serinë e fitoreve ndaj këtij kundërshtari. Fillimi i ndeshjes në Varshavë është caktuar në orën 20:45. Në të njëjtën kohë, Moldavia do të presë Çekinë. Po cili është bilanci i përballjeve mes këtyre dy kombëtareve? Mund ta zbiloni me detaje më poshtë:

Polakët fituan deri në 9 nga 13 sfidat me shqiptarët. Humbja e vetme ndodhi shumë kohë më parë, në vitin 1953. Ky duel ka pasur edhe tri barazime. Në shekullin e 21-të, bilanci është 4 fitore për bardhekuqtë. Megjithatë, tri prej tyre ishin fitore modeste.

Ja lista dhe rezultatet e ndeshjeve të Polonisë kundër Shqipërisë:

Varshavë, 6 nëntor 1949: Poloni-Shqipëri 2-1

Tiranë, 1 maj 1950: Shqipëri-Poloni 0-0

Tiranë, 29 nëntor 1953: Shqipëri-Poloni 2-0

Chorzów, 14 tetor 1970: Poloni-Shqipëri 3-0

Tiranë, 12 maj 1971: Shqipëri-Poloni 1-1

Mielec, 31.10.1984: Poloni-Shqipëri 2-2

Tiranë, 30 maj 1985: Shqipëri-Poloni 0-1

Chorzów, 19.10.1988: Poloni-Shqipëri 1-0

Tiranë, 15 nëntor 1989: Shqipëri-Poloni 1-2

Szczecin, 29 maj 2005: Poloni-Shqipëri 1-0

Reutlingen, 27 maj 2008: Poloni- Shqipëri 1-0

Varshavë, 2 shtator 2021: Poloni-Shqipëri 4-1

Tiranë, 12.10.2021: Shqipëri-Poloni 0-1

Lajme të tjera

Lajmet e fundit