Portugalia dhe CR7 hyjnë në histori, Holanda dorëzohet në finale

9 Qershor 2019
22:35
back button

Portugalia është fituesja e parë në histori e trofeut të Ligës së Kombeve.Luzitanët kanë triumfuar në shtëpinë e tyre në edicionin e parë historik të këtij kompeticioni të zhvilluar në dy faza, pasi kanë mposhtur në finale Holandën me rezultatin final 1-0, me “Tulipanët” që vijojnë të dëshmohen të paaftë për të fituar finale.

“Estadio do Dragao” i Portos është ndezur tërësisht kur Gonçalo Guedes në të 60’ ka shënuar një gol fantastik për të kaluar Portugalinë në avantazh 1-0, falë edhe atij shërbimi perfekt të Bernardo Silva. Epërsi që ka mbetur e pacenuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit dhe një triumf mëse i merituar për portugezët, që kanë dominuar finalen ndal “Tulipanëve”.

Jo vetëm trofe dhe lavdi për Portugalinë, e cila falë fitimit të këtij kompeticioni ka arkëtuar edhe shumën prej 10.5 milionë euro. Nga ana tjetër, edhe Holanda, ndonëse humbëse në finale, mund të ngushëllohet me 9 milionët që fiton si finaliste.

E përgjumur, gati gati e dorëzuar që pa filluar sfida finale, Holanda ka nisur të reagojë vetëm pas pësimit të golit në të 60’, të realizuar nga Guedes, pas një aksioni perfekt të portugezëve. Edhe në ato 30 minuta të mbetura, “Tulipanët” kanë tentuar vetëm me goditje nga jashtë zone, pa mundur dot të kërcënojnë seriozisht ekipin e udhëhequr nga Ronaldo.

Përkundrazi, edhe pse në epërsi dhe me trofeun thuajse të hipotekuar, portugezët kanë vijuar të sulmojnë në kërkim të golit të dytë, me kundërsulme të shpejta dhe të rrezikshme, por pas saktësinë në finalizim.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit