Prapaskenat e largimit të Caldara: Gjithçka u vulos pas humbjes 5-0 të Milanit

18 Janar 2020
12:36
Alfred Lleshi
back button

Pas një viti e gjysmë, kur mbeti prapa nga një seri dëmtimesh, që nuk e lejuan atë madje të bënte debutimin në këtë kampionat me fanellën e Milanit, Mattia Caldara arriti të ketë një rol kryesor në merkaton dimërore. Në fakt, ditët e fundit, rikthimi i tij tek Atalanta është materializuar në formën e huazimit për 18 muaj, me të drejtën e blerjes përfundimtare. Në një intervistë për “Tuttosport”, babai i Mattia Caldara, Stefano, shpjegoi se çfarë nuk funksionoi me të te kuqezinjtë: “Luajti tri herë në pranverë me kuqezinjtë, por kurrë nuk pati fatin të kthehej në ekipin e parë. Ai është stërvitur gjithmonë mirë, por nuk iu dha shansi. Bëri durim, tani ka nisur një histori tjetër”.

Kënaqësia për kthimin në Bergamo është shumë e madhe: “Është diçka, që e kemi kërkuar vetë. Mattia ka shkuar nga Atalanta në Milano dhe tani po kthehet mbas. Nga një këndvështrim moral nuk është e lehtë t’i menaxhosh këto situata. Për të paktën pesë muaj kam shpresuar te një zgjidhje si kjo. Megjithëse na janë bërë shumë premtime në Milano, kurrë nuk iu dha shansi, mundësia e aktivizimit”.

Caldara është gati të kthehet si protagonist, por frika se nuk mund të luante më në nivele të larta ka qenë prezente: “Unë jam i sinqertë, e kam pasur këtë frikë. Djali është një forcë e natyrës, ka një mentalitet të fortë. Gjithmonë më thoshte: Babi, mos u shqetëso, se do të kthehem në majë. Mund ta bëj këtë. Menaxheri Beppe Riso bëri një punë të shkëlqyer, pas humbjes 5-0 të Milanit në Bergamo, në të cilën trajneri Pioli nxori në nxehje të riun Gabbia. Aty, Mattia kërkoi nga menaxheri të përshpejtohej largimi nga kuqezinjtë. Në grupin e Milanit ai ka shumë miq. Me Romagnoli, Conti dhe Calabria ruan marrëdhënie të shkëlqyera, por tani ishte koha për të ndryshuar mjedis”.

Stefano Caldara është i bindur se djali i tij, Mattia, mund të rikthehet në kombëtare: “Ai beson shumë. Nga sinjalet që kemi, trajneri Mancini e mban një sy nga ai, interesohet. Jam i bindur që, nëse gjen vazhdimësi në aktivizim këtu tek Atalanta, mund ta rifitojë kombëtaren. Është e qartë, shansi i Atalantës për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe vitrina europiane e përcaktuan këtë vendim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit