Presidenti i Atletico Madridit sulmon Griezmann: Na zhgënjeu, kemi prova për të

13 Korrik 2019
9:32
Alfred Lleshi
back button

Enrique Cerezo pretendon se Atletico Madrid ka prova, që tregojnë se Barcelona ka rënë dakord me Antoine Griezmann para se të futej në fuqi reduktimi i klauzolës së lirimit të francezit në 120 milionë euro. Klubi katalanas e konfirmoi nënshkrimin me Griezmann për pesë vitet e ardhshme të premten. Kampioni i botës me Francën njoftoi përpara përfundimit të sezonit të La Liga-s se do të largohet nga “Rojiblancos” këtë verë. 

Megjithatë, Atletico Madrid beson se sulmuesi ka rënë dakord me Barcelonën që marrëveshja të kryhet pasi të reduktohej klauzola e lirimit nga 200 milionë euro në 120 të tilla, nga 1 korriku. Prandaj, kryeqytetasit pretendojnë se duhen paguar edhe 80 milionë euro shtesë për ta, që të ratifikohet transferimi. 

Cerezo, presidenti i klubit, tha se kishte dëshmi që Griezmann dhe Barcelona negociuan qysh herët dhe planifikuan të kalonte 1 korriku për të zyrtarizuar kontratën mes tyre. "Nëse klubi e ka bërë këtë deklaratë, atëherë ka prova, – tha ai për RAC1. – Ne duhet ta studiojmë situatën dhe do të kërkojmë shumën, që e konsiderojmë të nevojshme".

Barcelona, e cila thuhet se planifikon ta prezantojë Griezmann në “Camp Nou” të dielën, ende nuk iu është përgjigjur pretendimeve të Atletico Madrid. Cerezo tregoi qejfmbetje ndaj Griezmann, i cili konfirmoi në maj se do të largohet nga Atletico Madrid: “Jam i zhgënjyer nga qëndrimi i tij. Antoine donte të largohej, por nuk na tregoi deri në minutën e fundit".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit