Presidenti Takaj rikthen trajnerin e njohur, ja plani për Skënderbeun

8 Gusht 2019
9:56
Alfred Lleshi

Skënderbeu do të mbetet skuadra e derisotme, ajo “bio” e Korçës, pa “transplantuar” në qytetin juglindor një fanellë e histori tjetër, sikurse përflitej për Dinamon. Mesa duket, presidenti Ardian Takaj ka marrë garanci nga drejtuesit e futbollit tonë se nuk do të ketë penalizim shtesë prej FSHF-së për kuqebardhët, të tillë si zbritje nga Superiorja, pas “vulës” përfundimtare të CAS, që la në fuqi përjashtimin me 10 vite nga Kupat e Europës dhe 1 milion euro gjobë. 

Ringritja e Skënderbeut për sezonin e ri ka nisur që në fund të korrikut, në fakt, kur ka filluar edhe stërvitja nën drejtimin e Gentian Licit dhe Ilir Bozhiqit. Por, prej ditës së djeshme, tashmë juglindorët kanë trajnerin e tyre të ri (dhe të vjetër). Themi edhe të vjetër, sepse flitet për një rikthim të Ilir Dajës në stolin e Skënderbeut. 

Ai ka mbyllur gjithçka dje me Takajn dhe ka marrë përsipër “timonin” e kësaj skuadre në një kohë të turbullt e të vështirë. Burime nga klubi korçar bëjnë me dije se është arritur akordi me portierin Enea Koliqi, ndërsa Daja do ta mbështesë projektin e tij në lojtarë të tjerë ekzistues si Muzaka, Radas, Dita, Krasniqi dhe Bregu. Po ashtu, pritet edhe Jashanica, pas mbarimit të dënimit.   

Lajme të tjera

Lajmet e fundit