Prezantohet Alaba, merr numrin e Ramos: Te Reali dua të jem vetvetja, jo të imitoj të tjerët

21 Korrik 2021
14:26
Alfred Lleshi

Lojtari i ri i Real Madrid, i shoqëruar nga familja e tij (prindërit, gruaja dhe djali) është i ngazëllyer për aventurën e re me fanellën e bardhë. Shumë i lumtur u shfaq David Alaba në prezantimin te “Los Blancos”, pas fjalëve mikpritëse të Florentino Pérez.

Numri 4 – “Fola me klubin për këtë, drejtuesit ma ofruan këtë numër. Mendoj se nuk kishte ndonjë numër tjetër të disponueshëm. Sidoqoftë, e di se çfarë do të thotë ky numër për klubin. Është një nder për ta veshur këtë fanellë, më motivon më shumë. Është një numër që përfaqëson forcën dhe lidershipin”.

Për çfarë mund të kontribuojë – “Unë nuk kam ardhur në Madrid për ta krahasuar veten me të tjerët, dua të jem Alaba dhe të vazhdoj të jem i tillë. Do të kontribuoj me aftësitë dhe pikat e mia të forta, por duke mbetur vetvetja”.

Çfarë do të thotë të vish në Madrid – “Kjo është një ëndërr, që bëhet realitet. Është klubi më i madh në botë dhe kjo më bën krenar që jam këtu”.

Nëse e shihni veten duke luajtur me Mbappé – “Ai është një lojtar i klasit botëror, diçka e padiskutueshme. Ka cilësi të jashtëzakonshme, por kjo nuk ndikon tek unë. Kjo pyetje duhet t’u drejtohet njerëzve të tjerë”.

Ku duket më rehat në fushë – “Unë jam shumë fleksibël, mund të luaj në pozicione të ndryshme, vendimi i takon trajnerit. Është një pyetje për trajnerin, varet nga sistemi që do të përdorim. Unë mund të luaj në pozicione të ndryshme dhe kjo varet nga trajneri”.

Largimi i Zidane – “Isha i pikëlluar që Zidane u largua nga klubi, por mbeta i kënaqur që e pasoi Ancelotti. Kam pasur një marrëdhënie të mirë te Bayerni, është kënaqësi e madhe të punoj përsëri me të”.

Pse Real Madridi – “Vendosa të bëj një hap para në karrierën time. Natyrisht që kam marrë oferta të ndryshme, por ekzistonte vetëm një mundësi: Real Madridi. Kjo është një ëndërr e realizuar, është klubi më i madh në botë, është sfida që po kërkoja”.

Ramos dhe trashëgimia e tij – “Ramos ka qenë këtu për mbi një dekadë, ka luajtur futboll shumë mirë, duke mbajtur këtë numër dhe është bërë lider. Është diçka e pranishme në kokën e të gjithëve. Ndihem i nderuar që marr numrin e tij, ky fakt përbën një motiv i madh për mua. Sidoqoftë, nuk jam këtu për ta krahasuar veten me të tjerët”.

Largimi i Ramos dhe Varane – “Do të kisha dashur të luaja me Ramos, natyrisht. Ai është një lider, do të ishte kënaqësi. Varane? Natyrisht që do të doja të luaja me të, është një lojtar që ka luajtur futboll të shkëlqyeshëm. Po flasim për një mbrojtës të shkëlqyeshëm, me cilësi shumë të mira”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit