Priti penallti ndaj Kukësit, Hidi: Fitore e merituar, shyqyr që nuk kemi VAR!

15 Shkurt 2019
20:59
back button

Skuadra durrsake bëri një ndeshje të madhe kundër Kukësit, teksa fitoi tre pikë, që e ngjisin në vendin e dytë në renditje. Kjo fitore erdhi padyshim për meritë të dy golave të realizuar nga Progni dhe Arapi, por edhe të pritjes së penalltisë nga Isli Hidi. Kështu bregdetarët e shohin veten në vendin e dytë, ndërsa portieri i durrsakëve është shprehur i lumtur me fitoren e ekipit, teksa bën dhe batutat për “VAR”.

"Në takimet e kaluara, nuk kemi fituar, por raste kemi pasur. Ana psikologjike nuk ka munguar. Sot ishim të përqendruar nga minuta e para. Çunat kishin besim që po të shënonim një gol, do e kthenim. Dua t’i falenderoj për shpirtin e garës. Kemi 15 javë që nuk humbim. Kjo tregon forcën tonë.

E thashë, pas fazës përgatitore, ekipi nuk është 100%. Besoj që puna dhe dëshira të mbajnë në nivel të lartë, mua nuk më mungojnë. Gjithsesi, nuk është se po shkëlqej unë, është gjithë ekipi që po bën një kampionat të shkëlqyer, që askush nuk e priste.

Kam pritur dy, nuk isha unë në penalltinë që na shënoi Flamurtari. Duhet edhe pak fat, më ka ndihmuar deri tani, ashtu si ka ndihmuar edhe Teutën sot. Ishte një ndeshje e shkëlqyer, fitorja ishte e merituar besoj.

Në rregullore është që të mos lëviz, por nuk ka portier në botë që nuk bën gjysmë hapi, apo një hap. Është normale që një portier të lëvizë, pavarësisht se është e drejta e arbitrit që ta anulojë apo jo. Shyqyr që nuk kemi VAR"-tha ndër të tjera Isli Hidi. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit