Pritja ka mbaruar, Milani kthehet në Champions. Mesfusha varet nga Bennacer, Rebic në epërsi ndaj Giroud

15 Shtator 2021
9:27
Alfred Lleshi
back button

2745 ditë, një pritje që zgjati mbi 7 vite. Sonte, megjithëse jo në “San Siro”, por në mjedisin po aq mbresëlënës të “Anfield”, Milani kthehet në shtëpi, gjen përsëri Ligën e Kampionëve, kompeticionin që lejoi klubin kuqezi të bëhej një nga më të titulluarit dhe fisnikët në botë. Eliminimi në duart e Atletico Madrid më 2014, një udhëtim i gjatë midis “purgatorit” të Ligës së Evropës, para se portat e “parajsës” së futbollit të hapeshin sërish. Një rikthim i menjëhershëm me stil, kundër Liverpool-it të Klopp, në një nga stadiumet më magjikë të Evropës, i cili për herë të parë në historinë e tij do të mirëpresë “Djallin” si kundërshtar.

Dhe nuk është rastësi që dje, menjëherë pasi mbërriti në tokën angleze, rreth orës 6 pasdite, me orën lokale, ndalesa e parë e ekspeditës kuqezi ishte menjëherë “Anfield”, një mundësi që lojtarët e Piolit të fillojnë të shijojnë emocionet e njërit nga vendet më ikonike të futbollit ndërkombëtar. Pritshmëritë për kthimin e Milanit në kompeticionin më madhor europian për klubet janë të mëdha, siç dëshmohet nga pritja e grupit të madh të tifozëve që inkurajuan ekipin pas mbërritjes në hotelin e kuqezinjve, disa hapa nga “Royal Albert Dock”.

Për shumë protagonistë të skuadrës së Piolit do të jetë debutimi absolut në Ligën e Kampionëve: nga Kessié te Leao, duke kaluar nga Calabria, Saelemaekers, Bennacer dhe Tonali. Me ish-mesfushorin e Brescia, i cili dukej kandidat për një fanellë titullari pas paraqitjes mahnitëse kundër Lazios, për të vulosur një fillim të shkëlqyer të kampionatit, por përveç surprizave, do ta nisë nga stoli për shkak të një problemi gastrointestinal, i cili e detyroi atë të mos stërvitej në seancën e fundit para fluturimit drejt Liverpool.

Prandaj, Bennacer pritet të formojë qendrën e mesfushës me Franck Kessié. Për algjerianin do të jetë debutimi sezonal që nga minuta e parë, pas pothuajse 60 minutave të mbledhura në tre javët e para të Serie A, gjithmonë si zëvendësues, për shkak të një gjendjeje ende jo optimale.

Në mbrojtje, Kjaer kthehet përkrah Tomorit, me Calabria dhe Theo Hernandez në krahë. Në repartin ofensiv treshja e formuar nga Saelemaekers, Brahim Diaz dhe Rafa Leao, i thirrur për të konfirmuar gjërat e mira, të bëra në këtë fillim të sezonit.

Si “pykë”, pas mungesës së Ibrahimovic, balotazh midis Rebic dhe Giroud, i cili sapo është kthyer pas 10 ditëve pasivitet për shkak të Covid-19. Kjo e sheh kroatin aktualisht në epërsi, gjithashtu për shkak të performancës së shkëlqyer kundër Lazios. Sidoqoftë, tundimi mbetet i fortë për t’u mbështetur menjëherë në përvojën dhe karizmën e Giroud, ai që e ngriti kupën veshëgjatë në qiell disa muaj më parë me Chelsea dhe që mburret me një rezultat personal shumë pozitiv kundër “Reds”, me 8 gola në 16 ndeshje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit