Probleme për Mido-n, pas shkarkimit rrezikon kamxhikun

20 Mars 2019
16:20
Denis Hakanaj
back button

Sa mund të kushtojë të ofendosh një tifoz në rrjetet sociale? Sigurisht, vendin e punës, por në disa raste mund të shkojë edhe më keq. 

Siç mund t'i ndodhë Mido-s, ish-sulmues i Ajax-it, Roma-s dhe Tottenham-it, i cili ndodhet aktualisht në Arabinë Saudite, ku ka qenë trajneri i përkohshëm i Al-Wheda-s. 

"The Sun" ka bërë të ditur se egjiptiani është shkarkuar nga klubi pikërisht sepse ka sulmuar një tifoz në rrjetet sociale dhe tani rrezikon shumë. Gazetat saudite, në  fakt, kanë shkruar se ndëshkimi për ata që fyejnë një qytetar saudit është 10 goditje me kamxhik. Vetë Mido ka thënë se llogaria e tij në Twitter është sulmuar nga një "hacker". 

Çfarë ka ndodhur? Al-Wheda është mundur 4-0 kundër Al-Nassr dhe dikush është ankuar në internet për Mido-n dhe stilin e tij të punës: "Të lutem, jep dorëheqjen si trajner i Al-Wheda-s. E kuptojmë që ke stilin tënd, por nuk po e ndihmon skuadrën. Do të bëje më mirë të bëheshe opinionist, flet mirë, por si trajner nuk je dhe aq i aftë".  

Kësaj kritike, që nuk ka qenë as shumë e ashpër, Mido mësohet t'i jetë përgjigjur me fjalë fyese. Një përgjigje që, sipas "The Sun", është fshirë menjëherë, me ish-futbollistin që ka bërë të ditur se dikush kishte marrë kontrollin e llogarisë së tij në Twitter. 

Ky shpjegim nuk ka mjaftuar për të shmangur shkarkimin, por tani Mido rrezikon edhe kamxhikun. Një burim anonim ka thënë   për "The Sun": "Ligji saudit është shumë i qartë, të përdorësh rrjetet sociale për të fyer ose kërcënuar dikë është një gjest i ndëshkueshëm. Klubi është vënë në lëvizje para se dikush të shkonte në polici për të kërkuar arrestimin e Mido-s, por ai mund të ndëshkohet akoma".  

Me pak fjalë, një problem serioz për egjiptianin, i cili dukej se po kalonte një periudhë të lumtur. Pasi humbi mbi 50 kilogramë, jeta e tij dukej se ishte kthyer në normalitet. Nga ana tjetër, gjithçka mund të pritet kur flitet për Mido-n…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit