Proj, ylli i ri i basketbollit durrsak: E merituam titullin, ja idhujt që më frymëzojnë

4 Korrik 2021
14:41
Telesport
back button

Në Durrës, kapiteni që po shkëlqen tek ekipi U-18 në basketboll është Panajot Proj. Duke folur për “RTSH Sport”, ai ka shpalosur objektivat e tij për të ardhmen; njëkohësisht ka treguar edhe idhujt që e frymëzojnë. Nga ish-kapiteni i Tiranës, Karaj, tek ylli i Golden State, Stephen Curry, modelet për Proj janë të ndryshëm.

Kur flitet për të ardhmen, talenti i durrsakëve tregon se shkëlqimi i tij nuk ka kaluar pa vëmendje, ndërsa ka ngjallur interes deri në Australi, por për shkak të një mosmarrëveshjeje nuk u arrit konkretizimi me kontratë:

“Trofeu është kënaqësi e madhe, pasi arritëm t’ia dalim nga beteja e parë tek e fundit. Kemi pasur edhe lëkundje në stërvitje e ndeshje, por të gjithë bashkë ia dolëm deri në fund. Një ditë para gjysmëfinales kam thyer hundën dhe duke parë se duhet të luaja me patjetër, kam sakrifikuar. Ne jemi një grup shumë i mirë dhe jemi edukuar me sportin që të vegjël. Na ka trajtuar në mënyrën e duhur trajneri Besim Dervishaj. Falë tij jemi këtu sot dhe dolëm kampionë.

Idhujt? Një nga figurat e basketbollit dhe ikonë që unë pëlqej është Erkand Karaj, ish-kapiteni i Tiranës, që më ka motivuar. Në NBA? Është ylli, Stephen Curry. E ardhmja? Dua të qëndroj te Teuta në këto momente. Ëndrra e çdo lojtari është që të luaj në nivele të larta dhe jashtë Shqipërisë. Kam pasur kontakte nga Australia, por për shkakun e një mosmarrëveshjeje nuk arrita që të shkoj atje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit