“Hitleri i shekullit të ri” kërkon ekstradimin e yllit të NBA-së

15 Janar 2019
21:09
Telesport
back button

Prokuroria turke ka nisur sot një kërkesë zyrtare në adresë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i kërkon që të ekstradojë basketbollistin e ekipit të New York Knicks, Enes Kanter. Ky i fundit njihet si kritik i fortë i regjimit të presidentit Taip Erdogan, të cilin Kanter e ka konsideruar si diktator. Madje lojtari ka shkuar edhe më tej, duke e quajtur si “Hitlerin e shekullit të ri”.

Lajmin e ka konfirmuar e përditshmja turke “Sabah”, që deklaron se qeveria turke e ka shpallur basketbollistin si të padëshirueshëm në Turqi, duke i tërhequr pasaportën. Madje ka edhe një urdhër arresti në adresë të lojtarit. Për këtë arsye, Kanter nuk ka udhëtuar ditët e fundit për në Londër, për ndeshjen që ekipi i tij do të luajë ndaj Washington, sfidë e vlefshme për NBA-në.

Kanter, 26 vjeç, pas kësaj kërkese të Prokurorisë turke, rrezikon të përfundojë në listën e Interpol, pasi konsiderohet si një nga personat më të kërkuar në vendlindjen e tij. “Unë nuk kam frikë nga ju”, ka shkruar Kanter së fundi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, pas këtij vendimi të Prokurorisë. Presidenti turk Erdogan e ka konsideruar lojtarin si të përfshirë në grushtin e shtetit të vitit 2016, ndaj e quan terrorist.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit