PSG mposht Marseille me Di Maria-n, Pele ndal Mbappe-në

17 Mars 2019
23:01
Denis Hakanaj
back button

Paris Saint-Germain ka fituar 3-1 "Le Classique" kundër Marseille, që ka qenë e vlefshme për javën e 29-të të Ligue 1. Protagonisti i ndeshjes  ka qenë Angel di Maria, i cili ka dhënë një asist dhe ka realizuar dy gola. 

Kjo ka qenë hera e tretë në 2019-ën që argjentinasi shënon gol dhe jep asist në një ndeshje të Ligue 1. Asnjë lojtar tjetër nuk ka arritur të bëjë më mirë në pesë kampionatet kryesore të Europës. 

Një tjetër protagonist i sfidës së luajtur mbrëmjen e sotme në "Parc des Princes" ka qenë Kylian Mbappe, i cili ka zhbllokuar takimin në  minutën e 42-të. Francezi ka patur mundësinë të realizojë golin e dytë personal dhe të katërtin për ekipin në fundin e ndeshjes, por penalltia e tij është ndalur nga portieri Pele.   

Gjithsesi, sulmuesi i Parisit ka realizuar 7 nga 11 golat e fundit të PSG-së në Ligue 1 dhe ka shënuar 13 në total në ndeshjet e kampionatit të luajtura në 2019-ën. Vetëm Messi ka bërë më mirë se ai në pesë kampionatet kryesore të Europës.

Miqtë kanë barazuar përkohësisht ndeshjen në minutën e 46-të me Germain dhe në minutën e 62-të kanë mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga portieri Mandanda, i cili ka prekur topin me dorë pasi kishte dalë nga zona e rreptësisë.

Mandanda është bërë lojtari i 2-të i Marsielle, pas Andre Ayew në prillin e 2015-ës, që ndëshkohet me karton të kuq në një ndeshje të kampionatit të luajtur kundër PSG-së në shekullin e 21-të. Ka zhgënjyer Balotelli, i cili ka qenë në hije gjatë 65 minutave aktivizim. 

Skuadra e Thomas Tuchel kryeson kampionatin me 77 pikë, 20 më shumë se Lille e vendit të dytë, ndërsa Marseille mbetet në vendin e katërt me 47 pikë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit