PSG në hall të madh, lind problem i ri për Neymar

5 Mars 2021
11:07
Alfred Lleshi
back button

Lajmet e fundit nga Neymar Junior çuan në optimizëm. Ylli brazilian po stërvitej me pjesën tjetër të grupit dhe ishte shëruar plotësisht nga dëmtimi i tij. Vetëm disa orë më vonë lind një ngjarje e paparashikuar, që vë në gatishmëri stafin teknik të PSG. Grumbullimi i tij i afërt me kombëtaren braziliane do të ndryshonte kthimin përfundimtar të sulmuesit në ekip. Largimi jashtë Bashkimit Europian do të kërkonte një karantinë njëjavore, pas kthimit në Francë.

“Nga 31 janari, udhëtarët nga një vend jashtë Bashkimit Europian duhet të zotohen me nderin e tyre për një izolim 7-ditor, pas mbërritjes në tokën franceze”, – shkruhet në rregulloret e pandemisë së këtij vendi. Ende nuk është konfirmuar që kualifikueset e Amerikës së Jugut për Botërorin e Katarit, të planifikuara për në fund të marsit, do të vazhdojnë. “Conmebol” po studion për shtyrjen e tyre, pasi shumë nga lojtarët nuk do të lëviznin dot për shkak të problemeve të këtij lloji. Vendimi përfundimtar është planifikuar të hënën.

Në Angli, disa trajnerë (Klopp dhe Solskjaer) tashmë kanë deklaruar se nuk do t’i lënë lojtarët e tyre të shkojnë në kombëtare, nëse më vonë do të duhet të kalojnë në karantinë, siç është rasti me portugezët. Portugalia është një nga vendet e njohura të “listës së kuqe”.

Pochettino nuk i është referuar ende çështjes, por ka disa lojtarë në skuadrën e tij, që do të kalonin të njëjtën karantinë: Marquinhos, Paredes, Keylor Navas, Di María … Këto përplasje për kompeticionet e FIFA-s ndodhin vetëm një javë para sfidave të kthimit të Champions-it (1/8 finale). Një problem i madh për trajnerin argjentinas, veçanërisht në rastin e Neymar, pasi ai ka qenë jashtë për një muaj. Ne do të shohim se cila mund të jetë zgjidhja më e mirë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit