PSG, “zien” dhoma e zhveshjes. Neymar dhe Mbappé, armiq të përbetuar tashmë

17 Gusht 2022
9:07
Alfred Lleshi
back button

Kur pranoi të vazhdonte lidhjen e tij të dashurisë me PSG-në, pavarësisht presionit të fortë të Real Madridit, Kylian Mbappé ndoshta nuk do ta priste të përjetonte një situatë të tillë. Situata e yllit francez duket jo pak e turbullt në këtë start të sezonit.

Duke vendosur nënshkrimin e tij në rinovimin e kontratës, për lojtarin e lindur më 1998 dukej e gjitha mrekulli, sa i përket ngjitjes së mëtejshme brenda hierarkive. Në planet e klubit duhej t’i jepej atij skeptri i liderit teknik dhe karizmatik. Megjithatë, deri më sot, ky kusht nuk është konkluduar ende.

Pakënaqësia e Mbappe ka një emër shumë specifik: ai i Neymar, i cili në ndeshjen e fundit të fituar me rezultatin 5-2 në “Parce des Princes” ndaj Montpellier, i hoqi topin në momentin e ekzekutimit të një penalltie, pasi vetë ish-i i Monaco kishte humbur tentativën e mëparshme nga pika e bardhë.

Një episod që ndihmoi për të thelluar distancën mes të dyve dhe mbi të gjitha zhgënjimin e Mbappe, i bindur se me rinovimin do të bëhej përfundimisht lideri i skuadrës pariziene. Ndikimi i Neymar brenda dhomave të zhveshjes është ende i lartë, prandaj përbën bezdi të madhe për një yll që ndjen se i kanë prerë krahët.

Për ta bërë gjithçka më të zjarrtë, edhe atë që ndodhi në ndeshjen e lartpërmendur të Ligue 1, në video shihet një Mbappe krejtësisht i palidhur me manovrën sulmuese të PSG, sjellje kjo që do të kishte acaruar dhe jo pak një pjesë të mirë të bashkëlojtarëve.

Një qëndrim i lindur nga një premtim protagonizmi absolut që iu bë para rinovimit për ta nxitur të qëndronte nën hijen e Kullës Eifel, ndoshta ajo që më shumë se çdo gjë tjetër e shtyu atë të refuzonte ofertën e Real Madridit. Mbappe gëlltit, tani për tani, zhgënjimin e thellë, i vetëdijshëm për pozicionin e forcës që zë një tjetër “prima donna” si Neymar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit