Publikohen mesazhet para vdekjes, Sala nuk u braktis nga Cardiff City

1 Mars 2019
13:01
Alfred Lleshi
back button

Vazhdojnë polemikat rreth vdekjes tragjike të Emiliano Sala, pasi avioni i vogël, në të cilin po udhëtonte bashkë me pilotin David Ibotson, u rrëzua më 21 janar. 

Personi, i cili organizoi lëvizjen e lojtarit nga Cardiff te Nantes dhe kthimin e tij të mëvonshëm, Willie Mek-Kei, i tha BBC se argjentinasi ishte braktisur në një hotel, duke akuzuar direkt klubin nga Uellsi.

"Ata blejnë një lojtar për 15 milionë stërlina dhe pastaj e lënë vetëm në një hotel, për të gjetur vetë mjetin e fluturimit. Mendoj se Cardiff na ka zhgënjyer. Mënyra se si ata e kanë kryer punën e tyre ka qenë e turpshme", – tha për BBC.

Fjalët e tij janë kundërshtuar nga klubi i Cardiff City, që përmes një deklarate ka bërë të qartë se u përpoqën gjithmonë të bashkëpunojnë me lojtarin, duke i thënë arsyet pse nuk mund ta organizonte vetë udhëtimin: "Klubi ynë ishte duke organizuar një fluturim komercial për zotin Sala, derisa kjo ofertë u refuzua për shkak të aranzhimeve të veçanta, planifikimit të tij personal dhe detajeve të tjera,  për të cilat Cardiff nuk ishte në dijeni. Klubi ynë akoma ofron fluturime komerciale për lojtarët e vet".

“Ouest-France” zbuloi sot mesazhet e shkëmbyera në Whatsapp mes zyrtarit ndërlidhës të Cardiff dhe lojtarit, përpara se ky i fundit të kthehej në Francë. Ato tregojnë se një fluturim komercial ishte propozuar për Sala, gjë të cilin e refuzoi pas telefonatës së McKay.

Mesazhi i parë i dërguar nga zyrtari ndërlidhës i Cardiff City për Sala tregon rezervimin e udhëtimit, që klubi i kishte bërë lojtarit. Bëhet fjalë për një linjë ajrore tregtare, që kalon nëpërmjet Parisit.

Mesazhi i dytë tregon se Sala u kontaktua nga Willie McKay, i cili vullnetarisht organizoi fluturimin. "Mik, kjo është mirë. Willie McKay më telefonoi. Kam një fluturim për t'u kthyer në Nantes dhe të hënën në mbrëmje do të jem në Cardiff", – shkruhet në mesazhin e publikur. 

Kështu, provohet se Cardiff, të paktën e kishte rregulluar udhëtimin e lojtarit, por jo atë fatal, që solli në vdekjen e Emiliano Sala dhe pilotit, i cili vijon të jetë i zhdukur pas rrëzimit të avionit të vogël.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit