Qeveria jep “OK”, Bundesliga rinis me tifozët në stadiume. Ja kufizimet e mbetura

16 Shtator 2020
10:06
Alfred Lleshi
back button

Bundesliga do të rifillojë të premten në mbrëmje. Më në fund do të ketë edhe tifozë në tribuna. Qeveria Federale Gjermane ka dhënë dritën jeshile për publikun, që të kthehet në mbështetje të skuadrës së zemrës, për një maksimum prej 20% të kapacitetit total të stadiumit përkatës.

Klubet lëvizën menjëherë për të qenë në gjendje të fillonin shitjet e biletave dhe për të mbushur tribunat sa më shumë që të ishte e mundur, brenda kuotës 20%. Edhe pse jo të gjithë do të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Fjala vjen, klubet bavareze mund të duhet të presin.

Hyrja në stadiume do të jetë e lidhur ngushtë me kurbën e infektimit të secilës zonë, rajon, apo land. Nëse incidenca mesatare e mbi 7 ditëve të fundit do të jetë 35 ose më shumë infektime për 100.000 njerëz, qeveria rajonale nuk do të lejojë hapjen e stadiumit përkatës për atë javë.

Le të marrim si shembull Bayern Munich, i cili, duke qenë pjesë e Bavarisë (me 40 të infektuar për 100.000 njerëz) nuk mund t’i hapë dyert e “Allianz Arena” për ndeshjen inauguruese të sezonit të ri kundër Schalke.

Pas mbarimit të sezonit të kaluar me dyer të mbyllura, shkretia e shkallëve të stadiumeve shpejt mund të bëhet një kujtim i keq. Heshtja në fushë dhe zbrazëtia e tribunave do të zhduken së shpejti, të zëvendësuara nga tifozët dhe inkurajimi i tyre.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit