Radas: Kurrë kështu në karrierë, në Durrës një pikë na vlen shumë

1 Mars 2019
14:56
back button

Skënderbeu është në një moment të zi dhe nuk po arrin të gjejë zgjidhje për krizën në lojë dhe rezultate, që e kanë nxjerrë nga gara për titull dhe po e afrojnë rrezikshëm edhe me zonën e ftohtë, nëse nuk ndryshohet marsh.

Javën e shkuar pati edhe tension mes tifozëve e lojtarëve, me mbrojtësin veteran Radas që ka dalë sot para mediave për të folur për atë episod dhe për situatën delikate në kampin korçar.

KRIZA DHE PËRGJEGJËSIT – Normal, edhe ne lojtarët mbajmë përgjegjësi. Nuk është këtu vetëm trajneri apo stafi. Të gjithë kemi përgjegjësi, si për rezultatet e mira, ashtu edhe për të këqijat. Nuk di ta them ku është problemi, ndoshta më shumë përqendrimi. Në dy ndeshjet me Tiranën dhe Kastriotin kemi pësuar gola në minutat e fundit të ndeshjes, kur e kishim të paktën një pikë. Është problem përqendrimi, loja nuk ka qenë e keqe, kemi krijuar raste, por nuk shënojmë gola. 

PROBLEME TË TJERA? "Nuk e di. Kur merr rezultate të këqija, bëhet edhe psikologjike. Mendja e lojtarit, sidomos lojtarët e ardhur së fundi apo të rinjtë që duan kohë, fati i keq, të gjitha bashkë".

TENSION PËR HUMBJET, APO ÇËSHTJE TE JASHTME? – "Jo, brenda ekipit nuk ka asnjë problem. Vetëm është një periudhë e keqe, na duhen thjesht disa fitore për të rigjetur qetësi".

MUNGESA E NJË LOJTARI ME AUTORITET – "Me të rinjtë flasim, edhe unë, edhe Vangjeli. Kemi folur mes nesh, diskutime që mbeten brenda gjirit të ekipit. Nuk i vihet gishti askujt, hjesht lojtarët duhet të kuptojnë peshën e klubit dhe fanellës, përndryshe është e kotë".

SERIA NEGATIVE – "Hera e parë që më ndodh në jetë. Edhe në klube jo kaq të forta sa Skënderbeu, nuk më ka ndodhur të humb 8 ndeshje në 9 takime. Natyrisht, duhet forcë mendore dhe besim, jo të mendosh pa fund për këtë situatë".

QETËSIA E MUNGUAR – "Normale që nuk jemi të qetë, as unë, pasi edhe unë kam përgjegjësi për këto rezultate. Jam një nga lojtarët më të vjetër këtu. Kur shikoj që nuk ecim mirë javë pas jave, normal që mendoj se edhe unë kam përgjegjësi".

SHERRI ME TIFOZËT PAS NDESHJES ME TIRANËN – "Ishte një problem me një nga lojtarët tanë. Bisedova me tifozët, që me të drejtë duan 100% në çdo ndeshje. Ata mendonin se ndonjë lojtar nuk jepte maksimumin dhe u krijua ai problem".

SYNIMI PËR NDESHJEN E RADHËS – "Kemi objektiv të mos pësojmë gol. Kemi 7-8 ndeshje që pësojmë, tani synojmë të mos pësojmë. Nëse ndodh, do të marrësh edhe rezultat. Barazimi? Edhe një pikë është mirë, në një ndeshje të vështirë si në Durrës".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit