Raiola hedh dritë mbi të ardhmen e Pogba, Donnarumma dhe Ibrahimovic

14 Shkurt 2020
9:17
Alfred Lleshi
back button

Ai u largua nga Italia dhe Juventusi në verën e vitit 2016, për t’u rikthyer te Manchester United, por muajt e fundit i është lakuar emri sërish te bardhezinjtë. Paul Pogba la kujtime të pashlyeshme në Torino dhe nuk është rastësi që në çdo seancë të merkatos të flitet për kthimin e tij të mundshëm. Mino Raiola, i pranishëm të enjten në mbrëmje në “San Siro”, për ndeshjen e Kupës së Italisë (Milan-Juventus 1-1), nuk e ka përjashtuar ribashkimin e francezit me “Zonjën e Vjetër”: “Le të shohim. Për Ibrahimovic dhe Pogba, Italia është si një shtëpi e dytë. Ai nuk po mendon të kthehet te Juventusi, por do të flasim për këtë vetëm pas Kampionatit Europian. Paul, gjithmonë dëshiron të luftojë në nivelet më të larta, por për momentin gjërat nuk po shkojnë mirë”.

Milan-Juventus krijoi mundësinë për të parë De Ligt dhe Ibrahimovic përballë, dy klientë të Mino Raiola: “Ishte emocionuese për mua të shikoja duelin De Ligt-Ibrahimovic. Është një epokë e re, që po fillon, dhe një tjetër që po merr fund. Ishte bukur të shihje dy lojtarë kaq të shkëlqyeshëm kundër njëri-tjetrit. Për Ibrën, kufi është qielli, mbase vazhdon edhe për 10 vite të tjera”.

Në mesin e shumë kampionëve nën menaxhimin e tij është edhe Donnarumma: “Milani e di se çfarë mendoj. Tani nuk dua të flas për rinovimin e tij, në mënyrë që të mos ngacmoj askënd. Ai është mirë, i qetë, ka qëllim të kualifikohet me Milanin në Champions, nëse është e mundur. Pastaj do të jetë Kampionati Europian, le të shohim. Nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë Milani, nuk mund të supozoj. Unë nuk negocioj para kamerave, është shumë herët për të folur për këtë”. Në fund, një parashikim edhe për Matuidi: “Ai qëndron te Juventusi, kjo është e sigurt”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit