Raiola ngrin bisedimet e rinovimit të Pogba, Manchester United kontakton me Conte

27 Tetor 2021
11:03
Alfred Lleshi

Negociatat për rinovimin e kontratës mes Manchester United dhe Paul Pogba janë aktualisht në pritje. Siç raporton “The Sun”, në fakt, Mino Raiola ka vendosur në këto orë të pezullojë të gjitha negociatat me “Djajtë e Kuq”.

Kjo edhe për shkak të “tërmetit” rreth Solskjaer dhe raportit tejet të ftohtë mes trajnerit norvegjez dhe mesfushorit francez, pasi e la në stol ndaj Liverpool dhe më pas, kur u inkuadrua në lojë, mori karton të kuq. Pogba tani është mundësia më e madhe e merkatos pa kosto e verës së ardhshme. Juventusi, Real Madridi dhe PSG po vigjëlojnë për kampionin e botës më 2018.

Ndërkohë, mësohet se Antonio Conte shfaqet në krye të listës së dëshirave të Manchester United në rast divorci me Ole Gunnar Solskjaer. Kontaktet e para tashmë janë bërë dhe ish-trajneri kampion i Interit ka konfirmuar disponueshmërinë e tij për t’u kthyer në Angli.

Mbetet për t’u parë nëse “Djajtë e Kuq” do të vendosin për një përparim të menjëhershëm në këtë drejtim apo jo. Sipas “Sky Uk”, të paktën për momentin, trajneri norvegjez do të qëndrojë në stol.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit