Rama kapet me shefin e arbitrave mbi episodet në derbi dhe mbron Sormanin: Nuk lëviz, por pranojmë që kemi gabuar

2 Mars 2020
13:13
back button

Olsi Rama, drejtori sportiv i Partizanit, i ftuar te RTSH në emisionin sportiv të mbrëmjes, ka folur për disa tema të lidhura kryesisht me derbin e humbur 5-1 ndaj Tiranës, për vendimet e arbitrit Juxhin Xhaja, por edhe për sezonin e kuq dhe të ardhmen e trajnerit Sormani.

Rama ka debatuar me shefin e sektorit të arbitrave, Sokol Jareci, në lidhje me rregulloren dhe episodet e moviolës në Tirana-Partizani, mes tyre prekja e dyshimtë e Vangjelit brenda zonës në fillim të ndeshjes, por edhe veprimi antisportiv i Bathës ndaj Melos, duke e kapur nga fyti. Veç kësaj, u diskutua edhe për kartonin e kuq të dhënë direkt për Bitrin, që mbajti Torrasa.

“Do të mësojmë rregulloren e re nga këtu e deri në fund të kampionatit, siç duket”, ka thënë Rama, teksa ka polemizuar duke krahasuar rastin e veprimit të Bathës me atë të Çyrbes te Tirana-Teuta, ku durrsaku doli me të kuq me veprimin ndaj Cale. “A janë njësoj? Pse Çyrbja del me të kuq dhe Batha falet?! Gjest antisportiv?! Po penalltia ndaj Vangjelit pse nuk u dha, ai e prek me dorë dhe madje e bën mimikën si personi që ka gabuar… Pastaj, po i kuq për Bitrin? Për çfarë, rregullorja nuk e përcakton saktë nëse e ka topin sulmuesi në kontroll ose jo?!”.

Ndërkohë, ka folur edhe për ndeshjen dhe faktin se edhe “me dhjetë futbollistë, Partizani luajti si i barabartë në fushë dhe në momente të caktuara edhe më mirë se Tirana. Sezoni sigurisht nuk shkoi sipas pritshmërisë, por ka ende 13 javë dhe do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Natyrisht, menduam se sivjet do të hidhnim një hap të madh cilësor, por nga gabimet mësohet dhe kjo do të na duhet. Vjet fitoi grupi, kurse sivjet menduam se individët do të bënin diferencën. Sormani nuk preket, ka kontratë 2 vjet e gjysmë dhe do të qëndrojë për të ndërtuar dhe fuqizuar skuadrën. Partizani i parë në minutat e para në derbi duhet të jetë ai që duhet të shohim nga tani e tutje”.

“Sezoni vjet ishte për të marrë shembull në mënyrën si u menaxhuan gjërat, u tentua të bëhej një hap cilësor, Ndoshta ishte pak herët për të dhe disa gjëra ndoshta nuk u asimiluan siç duhet. Një hap i nxituar mund të kushtojë, tentuam të bëjmë më të mirën, nga çdo veprim arrihen mësimet e duhura. Por klasifikimi i Partizanit në kampionat sipas meje është gënjeshtar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit