Ramos barazon Casillas, rekorde të tjera “kërcënohen” prej tij

9 Shtator 2019
9:10
Alfred Lleshi
back button

Sergio Ramos i është bashkuar ish-bashkëlojtarit, Iker Casillas, si rekordmen i ndeshjeve me Spanjën. Qendërmbrojtësi bëri paraqitjen e tij të 167-të për “La Roja”, të dielën, duke arritur nivelin e portierit legjendar spanjoll në këtë drejtim. Trajneri Robert Moreno bëri nëntë ndryshime nga fitorja pararendëse (2-1) ndaj Rumanisë, me Ramos dhe Rodrigo Moreno të mbijetuarit e vetëm ndaj Ishujve Faroe.

Ramos luajti për herë të parë me Spanjën (kombëtaren A) më 26 mars 2005, në fitoren 3-0 të miqësores ndaj Kinës. Asokohe ishte 18 vjeç e 361 ditë. Ai debutoi si lojtari më i ri i Spanjës në mbi gjysmë shekulli. Ramos ishte një nga pikat kyçe të sukseseve të Spanjës në “Euro 2008”, Botërori 2010 dhe “Euro 2012”. E rrumbullakosi shifrën e 100 ndeshjeve me kombëtaren në vitin 2013.

Pasi ka shënuar 21 herë për Spanjën, Ramos është afër një rekordi për golat me kombëtaren, shënuar nga një mbrojtës. Ramos u urua para ndeshjes nga shoku i kombëtares dhe kundërshtari i tij te Barcelona, Sergio Busquets, i cili tha se ishte nder ta kishin qendërmbrojtësin kapiten.

Ramos tani është vetëm 9 ndeshje më pak se rekordi europian, i mbajtur nga portieri italian, Gianluigi Buffon (176) dhe 17 ndeshje larg rekordit botëror të egjiptianit Ahmed Hassan (184). “Statistikat janë aty për të thyer, – insistoi Ramos. – Nëse do të mendoja se i kam përmbushur të gjitha ëndrrat e mia, do të dilja në pension. Më pëlqen ta revizionoj veten çdo vit dhe të kthehem me entuziasëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit