“Ramos? S’jam përballur kurrë me një qendërmbrojtës kaq të dashur”

24 Mars 2019
17:53
Denis Hakanaj

Kur krijon famën e të keqit, është me të vërtetë e vështirë që të tjerët të ndryshojnë mendje. Paragjykimet ndikojnë më shumë se realiteti dhe në fund është pothuajse e pamundur që t'i fshish. Mjafton të mendosh për më "të keqin" e futbollit europian: Sergio Ramos. 

Kapiteni i Real Madrid dhe i Spanjës kritikohet pothuajse nga të gjithë. Atë e vlerësojnë vetëm tifozët e tij, por jo të gjithë. Pse kritikohet? Për lojën e pisët dhe sjelljen provokuese në fushën e lojës. Po a është me të vërtetë kështu? 

Këtë herë Sergio Ramos ka gjetur një… mbrojtës. Ai, që këtë rol e ka profesionin e tij, ka marrë komplimente nga një sulmues. Në fakt, fjalët e thëna nga norvegjezi Joshua King kanë qenë të papritura. Në deklaratat e bëra për gazetën norvegjeze  "VG", sulmuesi i kombëtares skandinave ka përshkruar një Ramos ndryshe. 

"Mendoj se e bën shumë mirë punën e tij dhe se është një nga qendërmbrojtësit më të mirë në botë". Deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë, sepse edhe kritiku më i madh i spanjollit nuk mund ta mohojë se ai është një nga më të mirët në rolin e tij. 

Megjithatë, King ka bërë më mirë se kaq. "Ramos ka famën e futbollistit të ashpër dhe të pisët, por unë nuk mbaj mend të jem përballur me një qendërmbrojtës kaq të dashur sa ai". Pikërisht termi "i dashur" nuk është ai që të vjen në mendje kur mendon për kapitenin e madrilenëve. 

Gjithsesi, norvegjezi ka këmbëngulur: "Nuk i kam parë të gjitha ndeshjet që ka luajtur, por kundër nesh ka bërë ndërhyrje të rregullta dhe më është dukur shumë sportiv. Ai ka fituar disa duele, unë disa të tjerë. Ka qenë një ndeshje e bukur". 

Ndoshta, për shkak të emocioneve të golit të shënuar me penallti, King ka harruar se "djaloshi sportiv" ka kërkuar ta hutojë pak para se të gjuante penalltinë? Ku i dihet. Gjithsesi, fjalët e tij janë më shumë unike se të rralla.   

Lajme të tjera

Lajmet e fundit