Raporti me Demin, ftohtësia me Ramën, situata kritike e Partizanit…; Skënder Gega flet për gjithçka

7 Mars 2020
9:16
Alfred Lleshi
back button

Tifozët e Partizanit i falen atij, sidomos në këto ditë krize të thellë te skuadra e tyre e zemrës. Skënder Gega ishte trajneri, që ktheu titullin kampion te “demat” pas 26 vitesh “agjërim”. Në klube të tjera, normalisht, meritonte të ngrihej në piedestal. Por, te 16 herë kampionët e vendit, ai u largua në heshtje, duke lënë mbas shumë pikëpyetje. Ka heshtur gjatë, deri dje, kur është rrëfyer për “Supersport”. Tropojani ndalet në shumë gjëra, ndër të cilat edhe negociatat e fundit me Kukësin: “Unë shkova dhe u ula me Safet Gjicin me shumë respekt. Jam gati të pranoj çdo lloj sfide, nuk është se po i çoj mesazhe dikujt, qoftë brenda shtetit, qoftë jashtë, pasi ky është profesioni im. Nuk mund të them se e bëj më mirë se të tjerët trajnerin, por nuk kam frikë nga asnjë lloj sfide dhe nuk paragjykoj asnjeri e asnjë lloj klubi. Është thjesht një garë dhe kaq, ndaj unë kështu dua ta shikoj”. Për t’u kthyer pastaj te Partizani, intervista për të cilin është si më poshtë:

Shpesh është përmendur përvoja e parë, por Skënder Gega ka drejtuar te moshat e Partizanit, apo dhe Shpresat U-21, ku keni pasur lojtarë si Shkurtaj, Herolind Shala e shumë të tjerë…Punuat në Kuvajt, pse gjithmonë ekzistonte ajo ideja që Gega nuk ka emër si trajner?
Në Shqipëri ka skeptikë. Ka njerëz skeptikë që ashtu mendojnë, po dhe nga ata që për komplekset e tyre nuk duan të thonë fjalë pozitive për dikë që punon. Unë erdha në Shqipëri dhe jam munduar që të jem “fair-play”, të jap më të mirën. Ka qenë përgjegjësia ime. Kishte skeptikë, që i kam parë, që shpërthenin në televizione. Jam mundur që të jem shumë i saktë në përzgjedhjet dhe vendimet e mia.

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja në ekip?
Jam munduar që të bëjë më të mirën për lojtarët, të ruaj grupin dhe të kemi marrëdhënie respekti reciprok. Ne ishim 24 vetë dhe me të gjithë duhej që të jesh njësoj. Kjo është e vështirë, por ama bëhet gjithçka e mundur nëse je i drejtpërdrejtë. Unë isha trajner dhe thosha që do të bëhet si them unë. Këtë frymë kam futur edhe në familjen time.

Po Lorenc Trashi…
Kur shkon një ambient ka të bardha, ka gri apo të zeza, sipas situatës. Meqë më përmendët Trashin, po ju them që është një njeri shumë i mirë, i jashtëzakonshëm. Është një njeri që krijon adrenalinë, krijon atmosferë dhe është mjaft pozitiv. Ai krijon atmosferë. Në momente të veçanta shpërthente dhe dilte jashtë vetes. Ky është edhe sekreti, që ta kuptosh Trashin, për të mirën e jetës së tij dhe të Partizanit, apo edhe timen si trajner. Unë nuk luaj, por duhet që ai të japë më të mirën. Në komente të veçanta duhet të mos e godasësh e të mos i kthesh shpinën, sepse nëse humbet Trashin, ke humbur edhe vetë, apo nëse humbej Trashi, reflektohej te dikush tjetër. Edhe unë kam qenë i lidhur. Në momente të vështira, kur lojtari gabon, sepse nuk ka asnjë të pagabueshëm, gjërat shkojnë mirë. Trashi është përfolur shumë, është zmadhuar shumë. Unë kam qenë pak radikal, madje i kam shtyrë edhe pak më tepër, por doja që nëpërmjet Trashit të jepja edhe pak mesazhe te të tjerët.

A ka qenë grupi, arma më e fortë e Partizanit të Skënder Gegës si trajner?
Po, është e vërtetë, e kam dëgjuar shpesh. E thashë edhe më sipër se, kur kam ardhur unë, këtë jam mundur të bëj si trajner. Më vjen mirë nëse është realizuar dhe besoj se koha ka treguar se është bërë mirë.

Presidenti Gazmend Demi pak ditë më parë ka folur me superlativa për ju. Cili është opinioni juaj për z.Demi?
E kam dëgjuar, madje kam qenë në një emision tjetër sportiv. I jam shumë mirënjohës, e falënderoj. Janë të vërteta të gjitha, se kemi pasur marrëdhënie korrekte. Unë njihem edhe më parë, sepse Shqipëria është e vogël. Demi është një person, që ka marrë rrisk të madh. Në këtë vend, që ka pasur shumë probleme, po bën shumë për ta ringritur Partizanin, pa dashur që të bëj ekonomistin. Në momentin që kam marrë ekipin më ka thënë do të kesh mbështetjen time dhe do të të plotësohet çdo gjë financiarisht. Kurrë nuk më ka ndërhyrë teknikisht. Është një person që ka pasur mënyrë komunikimi e madje deri në detaje. Më ka lënë mbresa. Jam takuar ditën e parë si mik dhe jam larguar si mik.

Arsyeja që nuk kam drejtuar në Shqipëri ka qenë familja ime, që ndodhet larg (SHBA). Kisha një ëndërr të afrohesha dhe ishte një ambient i mirë e pa presion. Gjeta një grup që donte shumë punë, pa ofenduar askënd. Problemi ishte t’i jepej besim, edhe pse u eliminua nga Kupat e Europës, duhej të tregonte që po fillonte diçka e re. Mos harroni se ne si shqiptarë jemi pak të padurueshëm.

Cila ka qenë marrëdhënia juaj me Olsi Ramën?
Nuk kam krijuar probleme, jam munduar të vë arsyen të parën. Kam qenë shumë bashkëpunues në çdo vend ku kam punuar, qoftë në ekipin kombëtar, qoftë te Partizani, në Amerikë apo Kuvajt. Jam bashkëpunues, por kam ca rregulla dhe parametra, që për asnjë interes apo arsye nuk do t’i shkelja. Me drejtorin Rama njihemi kohë më parë. Kemi qenë sportistë. Nuk kemi patur miqësi të ngushtë, por njihemi. Kam patur mbështetjen e tij për t’u afruar te Partizani, pasi kisha biseduar me presidentin Demi. Gjatë vitit të kaluar kemi patur një bashkëpunim besoj të mirë, nuk po them absolut apo perfekt. Në mënyrën e tij, si e njeh ai futbollin, sepse të jemi të sinqertë, ai nuk është drejtor teknik në kuptimin e specialistit, por është drejtor i klubit. Sigurisht që ka kontribut në punën e tij. Unë jam munduar gjithmonë të mbaj pozicionin tim, të jem bashkëpunues. Secili mundohet të bëjë më të mirën, në mënyrën e tij. Kam dëgjuar dhe lexuar shumë fjalë, por nuk kemi pasur konflikte, ndoshta mendime të ndryshme për disa gjëra, por kjo nuk na ka penguar që të arrijmë qëllimin, që unë të shkoj në punë e të bëj atë që dua. Nuk mund të them më tepër, sepse kam dalë kampion, nuk kam bërë asnjë dëm. S’kam pse e gjykoj veten.

Dy fjalë për sezonin aktual të Partizanit?
U gabua, pasi u prekën themelet e sezonit të kaluar. Nëse i ndërton këto themele me zgjuarsi, ajo ndërtesë do të ketë balanca dhe do të jetë e vështirë të rrëzohet. Është e rëndësishme që lojtarët t’i vendosësh në rolin e tyre më të mirë.

A mund të riktheheni te Partizani?
Partizani e ka trajnerin dhe jam i sigurt që jo Sormani, por askush nuk vjen te të kuqtë për të dështuar. Nuk mund t’i jap asnjë lloj sugjerimi, pasi nuk është e drejta ime, por edhe për faktin se ai është në atë gjendje që të bëjë zgjedhjet më të mira. Me gjithë shpirt i uroj Partizanit, trajnerit dhe tifozëve, që gjërat të përmirësohen!

Lajme të tjera

Lajmet e fundit