“U shmang tragjedia, akt terrorist i tifozëve të Tiranës!”, reagon Partizani dhe drejton gishtin nga klubi bardheblu!

30 Shtator 2019
14:29
back button

Klubi i Partizanit ka reaguar ditën e sotme pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e derbit, ku dhuna ndezi fitilin e urrejtjes në “Selman Stermasi” dhe u bë shkak që spektakli të bëhej i shëmtuar në çdo formë të tij.

Të kuqtë kanë fituar derbin, por Tirana e ka humbur dy herë, sepse tifozeria bardheblu këtë herë ka tejlakuar çdo limit të mundshëm. Komisioni i Disiplinës po shqyrton rastin në fjalë, por prapaskenat e dalë pas ndeshjes janë vërtet të frikshme. Si tifozeria e Partizanit, ashtu edhe klubi, kanë zbarthur planin e tifozëve bardheblu, të bashkëngjitur këtu me raportin e policisë, pasi kishin hapur disa gropa përpara sektorit të tifozerisë së kuqe, duke vendosur lëndë eksplozive që nëse do të shpërthenin mund të rrezikohej tragjedia.

U shmang vetëm sepse tifozeria e Partizanit kishte kuptuar planin dashakeq dhe më pas ndërhyri edhe policia.

“Klubi i Futbollit Partizani denoncon fuqimisht aktet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Kategorisë Superiore. Për të disatën herë klubi pritës vazhdon të dështojë në organizimin dhe mbarëvatjen e takimeve derbi. Përtej shfaqjes së banderolave skandaloze, agresionit fizik ndaj tifozerisë së kuqe, hedhjes së sendeve të forta dhe koreve ofenduese, këtë herë është kapërcyer çdo element i sigurisë së organizimit të një aktiviteti sportiv. Një akt i vërtet terrorist i mbetur në tentativë rezultoi të ishte parapërgatitur nga një pjesë e tifozerisë pritëse, e cila do të ishte e pamundur të organizohej pa bashkëpunimin (në rastin më të mirë pasiv) të administratorëve të stadiumit “Selman Stërmasi”.

“Instalimi i një sasie të konsiderueshme eksplozivi pranë sektorit të mbështetësve të Partizanit konsiderohet një vepër e mirëmenduar kriminale, e cila shënjestron drejtpërsëdrejti jetën dhe shëndetin e të gjithë të pranishmëve dhe posaçërisht të lojtarëve të skuadrës sonë. Klubi e konsideron të papranueshëm faktin që për këtë akt, i cili nëse do të ishte realizuar mund të shënonte një tragjedi me përmasa të frikshme, nuk ka asnjë reagim apo distancim nga KF Tirana si klub organizator i ndeshjes dhe si administratore e stadiumit “Selman Stërmasi”. i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese që të hetojnë plotësisht këtë vepër të rëndë kriminale dhe të vënë përpara përgjegjësisë organizatorët dhe bashkëpunëtorët e këtij akti të paprecedent.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit