“Real Madridi është bosi i Champions-it, ja kush shkon në finale”

4 Maj 2021
14:40
Alfred Lleshi
back button

Në orët e ardhshme do të dihet se kush janë finalistët e rinj të Ligës së Kampionëve. Manchester City dhe PSG luajnë sonte gjysmëfinalen e kthimit, me dëshirën e madhe për t’u kurorëzuar mbretër të Europës për herë të parë. Nga ana tjetër, Chelsea lufton për kurorën e dytë kundër dominuesve të kompeticionit, Real Madridi. Mesfushori Nuri Sahin foli për “Goal” lidhur me këto dy ndeshje, duke bërë një gjë të qartë: “Real Madridi është bosi i Champions-it”:

“Të dyja skuadrat janë në një moment të mirë. Chelsea po luan shumë mirë me Tuchel, mund të jetë ekipi më i mirë në nivel taktik për momentin. Është e qartë se londinezët kanë një plan loje. Por, në anën tjetër kemi bosin e Ligës së Kampionëve, Real Madridin me Zinedine Zidane. Ata janë akoma në një moment të mirë, edhe pse njerëzit mendojnë se nuk janë aq të fortë. Unë kryqëzoj gishtat për ta, mund t’ia dalin”.

Lëndimet e privuan Nuri Sahin për të patur sukses në Madrid, duke luajtur vetëm 10 ndeshje në vit, pasi spikati te Borussia. Përkundër kësaj, ai ruan kujtime të bukura nga eksperienca me të bardhët: “Ishte shumë e veçantë për mua të ndaja një dhomë zhveshje me ato lojtarë dhe të shihja se sa profesionistë dhe të mirë ishin. Njerëz si Sergio Ramos dhe Karim Benzema kanë qenë në elitë për 10-15 vite dhe janë akoma të uritur. E çmendur se si ata janë ende të uritur, edhe pse kanë fituar gjithçka. Benzema është një nga tre sulmuesit më të mirë në botë”.

Duke folur për gjysmëfinalen mes Manchester City dhe PSG, Sahin beson se anglezët do të kalojnë, por me potencialin sulmues të parizienëve, nuk përjashton që të ketë ndonjë surprizë: “Francezët e kanë të vështirë, rezultati i gjysmëfinales së parë është perfekt për Manchester City. Sidoqoftë, po flasim për PSG dhe Pep Guardiola e di që ata mund të shënojnë gola edhe për argëtim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit