“Real Madridi gaboi, s’duhej ta lejonte kurrë largimin e Ronaldos”

20 Tetor 2020
10:44
Alfred Lleshi
back button

Vendimi i Real Madridit për ta shitur Cristiano Ronaldon te Juventusi më 2018 është vënë në dyshim nga Luis Castro, me trajnerin e Shakhtar Donetsk duke thënë: “Kur keni Cristiano në ekipin tuaj, nuk duhet ta lini kurrë të largohet”. “Los Blancos” tronditën botën e futbollit kur ranë dakord për ta shitur pesë herë fituesin e “Topit të Artë” te kampionët e Serie A. Pas nëntë viteve rekorde në kryeqytetin spanjoll, ylli portugez u lirua për të ndërmarrë një sfidë të re në Itali.

Castro beson se klubi nga “Santiago Bernabeu” duhet të kishte bërë më shumë për ta mbajtur Ronaldon në radhët e veta, qoftë duke bërë edhe të pamundurën, sepse nuk zëvendësohet dot një futbollist që shënoi 450 gola dhe fitoi 15 trofe, sa ishte në Madrid. Trajneri i Shakhtar i tha “Marca”: “Nëse e keni Cristianon në ekipin tuaj, nuk duhet ta lini kurrë të largohet. Asnjëherë. Ne po flasim për futbollistin më të mirë, më efektivin në botë, një makinë golash, një makinë sakrifice”.

Castro po përgatitet të luajë kundër Real Madridit pa Ronaldon në Ligën e Kampionëve, të martën. “Nuk më pëlqen të krahasoj, por për mua ai është më i miri, – shtoi Castro. – Cristiano ka një histori pas tij, që është shembullore. Ai u zhvendos, vetëm 11 vjeç, në Lisbonë për t’u bërë futbollist, duke lënë shtëpinë e tij. Cristiano është dikush që është ngritur i vetëm, me një vendosmëri unike. Për mua është një shembull për të gjithë fëmijët.

Ka dhe njerëz që e kritikojnë Ronaldon. Megjithatë, ai përgjigjet në fushë, çdo ndeshje, duke qenë i vetëdijshëm se nga vjen. Ditën që do të bëhet një film me Cristiano dhe njerëzit do të shohin se nga vjen ai me të vërtetë, si u bë një futbollist, do të vlerësohet shumë më tepër”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit