Real Madridi rrit presionin për Eriksen, ja skema për të joshur “Spurs”

22 Janar 2019
11:46
Alfred Lleshi
back button

Presioni i Real Madridit për të marrë shërbimet e Christian Eriksen vazhdon. Vlerësimi i lartë i Tottenham për yllin danez nuk i tremb “Los Blancos”, të cilët, sipas “AS”, për të ulur pretendimet e londinezëve, do të përpiqen të fusin në marrëveshje James Rodriguez. 

Pra, negocimi ndërmjet dy klubeve në fjalë për Eriksen nuk duket aspak i thjeshtë, duke pasur parasysh “valencat” e lojtarëve të përfshirë. Megjithatë, ka disa aspekte, që Real Madridi dëshiron t’i shfrytëzojë në favor të tij. Kontrata e danezit me Tottenham do të përfundojë në vitin 2020. Ndërkohë, Eriksen nuk ka rinovuar ende dhe kjo i vë “Spurs” në një pozicion delikat.

Duke pasur parasysh situatën kontraktuale të mesfushorit në fjalë, Real Madridi synon ta ulë më tej çmimin e tij, duke përfshirë James Rodriguez në transferim. Megjithatë, nuk ka të ngjarë që marrëveshja me Eriksen të përfundojë këtë janar. Pa Kane, të lënduar, dhe me Son, të angazhuar në Kupën e Azisë, Tottenham nuk është i gatshëm ta privojë veten nga ylli i vet në mes të sezonit, teksa ka përpara plot impenjime në Premier League, Kupën e Ligës dhe Champions.

Në fakt, kombinimi Rodriguez-Tottenham nuk është aspak i rastësishëm. Sigurisht, nuk është një sezon pozitiv për kolumbianin te Bayern Munich. Me ardhjen e trajnerit Kovac në stol, James, i huazuar nga Real Madridi, ka vuajtur për të pasur vazhdimësi aktivizimi dhe nuk ka gjasa të konfirmohet si blerje nga bavarezët. Rodriguez është edhe në radarin e Arsenalit, si një zëvendësim i mundshëm për Ozil.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit