Red Bull e frikshme edhe në Arabi, Mercedes e Ferrari sërish jashtë podiumit

19 Mars 2023
19:26
Telesport
back button

Red Bull arrin një tjetër fitore të dyfishtë në botërorin 2023 të Formula 1, duke i pozicionuar të dy pilotët e saj në dy vendet e para të garës së Arabisë Saudite. Në pistën qytetase të Jeddah triumfoi piloti meksikan Sergio Perez, që e nisi garën nga “pole” dhe e mbrojti atë vend deri në fund, duke e merituar fitoren.

Në vendin e dytë u klasifikua shoku i tij i skuadrës Max Verstappen, që rikuperoi 13 pozicione, pasi e nisi garën nga vendi i 15-të. Ai përfitoi edhe nga hyrja në pistë e makinës së sigurisë në xhiron e 15-të për të parakaluar si makinat Ferrari ashtu dhe ato Mercedes.

Në podium, ashtu si në garën e parë, u rendit edhe spanjolli Fernando Alonso me Aston Martin (i treti), duke lënë pas dy makinat Mercedes me Russell e Hamilton (vendet 4-5). Tjetër garë zhgënjyese për Ferrari, që u klasifikua në vendet 6-7 me dy pilotët e saj, Sainz e Leclerc.

Një garë disi e mërzitshme, pa shumë parakalime dhe me një dominim të Red Bull, që duket se këtë sezon do të zhvillojë një garë me veten, mes dy pilotëve të saj, pasi rivalët janë shumë larg. Në “top-10” u renditën edhe Ocon, Gasly e Magnusen, që hynë në zonën e pikëve. Gara e radhës, më 2 prill në Australi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit